Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“BEETHOVEN & LISZT” - KONCERT RECITAL NGA AMIR XHAKOVIQ

Nesër, më 28 shkurt, ora 19:00, në Hollin Koncertor të TKOBAP-së, pianisti Amir Xhakoviq ngjitet në skenë me koncertin recital “Beethoven & Liszt”.

Me një program që nis me Barokjaren e Peçit, vijon me Suitën për Piano, Op. 27 të Zografskit, kulmon me Sonatën nr. 32, Op. 111 të Beethoven-it dhe përmbyllet me virtuozitetin e Liszt-it , “Après une lecture du Dante: Fantasia quasi Sonata”.

2. “BIDERMANI DHE ZJARRVËNSIT” NË TEATRIN “PETRO MARKO”

“Bidermani dhe Zjarrvënsit” është shfaqja që do të ngjitet në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë sonte, nesër dhe më 1 mars në orën 19:00.

3. “GJYSMË-JETA E MARIE CURIE” TE TEATRI I METROPOLIT NË TIRANË

Shfaqja “Gjysmë-jeta e Marie Curie” po vijon të shfaqet në skenën e teatrit “Metropol”. Ajo do të vijë sonte, nesër dhe të dielën në orën 19:00. Shfaqja nën interpretimin e Yllka Mujos dhe Armela Demajt rrëfen historinë e forcës dhe rezistencës së dy shkencëtareve të jashtëzakonshme, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe pasionin për shkencën.

4.  “DJALI” ME REGJI TË FATOS BERISHËS, RIKTHIM TE TKEKS

Shfaqja “Djali” nga Florian Zeller dhe me regji të Fatos Berishës vijon të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë edhe sonte, nesër dhe të dielën mars në orën 20:00.

5. “17 SHKURTI” ME PUNË TË PEDAGOGËVE TË PRISHTINËS E TIRANËS

Ekspozita “17 shkurti” vijon të qëndrojë e çelur te Galeria FAB në Tiranë. Në të ekspozohen punime të zgjedhura nga Stafi pedagogjik i Fakultetit të Arteve në Prishtinë dhe Fakulteti i Arteve të Bukura në Tiranë.

6. EKSPOZITA FOTOGRAFIKE NË GALERINË E ARTEVE TË VLORËS

“Vlora”, ekspozita fotografike nga Altin Serani e çelur në Galerinë e Arteve në Vlorë edhe sot dhe nesër.

7. “INTELIGJENCA ARTIFICIALE” NGA CIRKU KOMBËTAR TE KUKULLAT

“Inteligjenca artificiale” nga Cirku Kombëtar do të shfaqet sot dhe nesër në orën 17:00 në sallën e Teatrit të Kukullave në Tiranë.

8. “MAÇOKU ME ÇIZME”, NË FUNDJAVË TE TEATRI I KUKULLAVE

“Maçoku me çizme” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë te Teatri i Kukullave nesër dhe të dielën në oraret 10:30 dhe 11:30.