Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. KONCERT I FLAKA GORANCIT E PIANISTES SILVA SKËNDERI NË TKOB

Një mbrëmje e veçantë kushtuar këngës artistike gjermane (Kunstlied), ku muzika, gjuha dhe poezia ndërthuren përmes veprave të Mahler, Ëagner, Brahms dhe Schoeck do të jetë koncerti “Mes dashurisë dhe mallit”, që do të vijë në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 15 shtator në orën 20:00 nën interpretimin e mezzo-sopranos Flaka Goranci dhe pianistes Silvana Skënderi.

2. SEZONI/ KONCERT SIMFONIK I ORKESTRËS SIMFONIKE TË RTSH-SË

Orkestra Simfonike e RTSH-së çel sezonin e ri koncertor më 15 shtator në orën 19:30 në hollin “Gjon Simoni” të RTSH-së. Koncerti do të drejtohet nga maestro Gridi Kraja, ndërsa në rolin e solistit do të jetë pianisti Matia Cerriku. Në program janë “Intermezzo” nga L’amico Fritz i Pietro Mascagni-t, Totentanz i Franz Liszt-it, Adagio për harqe i Gridi Krajës dhe Simfonia nr. 41 “Jupiter” e Ëolfgang Amadeus Mozartit.

3. EKSPOZITA “THE LONG NECK” TE GALERIA KALO NË TIRANË

“Qafa e gjatë” (The Long Neck), një ekspozitë e artit shqiptar që eksploron mënyrën se si elemente të stileve të mjeshtërve të mëdhenj të artit mund të interpretohen dhe përkthehen në një kontekst lokal do të çelet në galerinë “Kalo” në Tiranë më 15 shtator në orën 18:30.

4. KONFERENCA NDËRKOMBËTARE E LETËRSISË, AUTORË NË TIRANË

“Letërsia 2026” është konferenca ndërkombëtare që do të mbahet në 15 shtator në orën 11:00 në Tiranë. Aktiviteti do të sjellë në fokus autorët dhe kontributin e tyre në letërsi, përmes një programi ku ndërthuren çmimet, krijimtaria, media dhe të ftuarit specialë.

5. KONCERTI I GRUPIT “TELLI SAZLAR” NË JAVËN KULTURORE TURKE

Në kuadër të Javës Kulturore Turke, grupi trio “Telli Sazlar” sjell në Shqipëri një interpretim bashkëkohor të muzikës popullore turke. Grupi ndërthur instrumente tradicionale turke, si bağlama, cura, cümbüş, lavta, tar dhe perkusion, me kitarën dhe vokalin, duke krijuar një performancë ku tradita takohet me tingujt modernë.

Koncerti do të mbahet sonte në orën 19:30 në Sallën e Madhe të Koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe nesër në orën 19:30 në sheshin para Bashkisë në Shkodër.

6. WORKSHOP NË DRAMATURGJI ME PISANO E FORTE TE TEATRI KOMBËTAR

Në Teatrin Kombëtar në Tiranë do të mbahet një uorkshop për dramaturgji nga 14 – 20 shtator dhe nga 21-27 shtator me mentorë: Fabio Pisano dhe Gianni Forte. Uorkshopi u drejtohet atyre që kanë një ide për një dramë, komedi apo tragjedi, por edhe autorëve që kanë nisur të shkruajnë një pjesë teatrale dhe dëshirojnë ta zhvillojnë e përmirësojnë atë.

7. ARTISTI AUSTRIAK STEFAN ËIRNSPERGER, EKSPOZITË PËR TIRANËN

“Pikat e zhdukjes” (Vanishing Points) është ekspozita e artistit austriak Stefan Wirnsperger, që do çelet sonte në orën 19:00 te Galeria e Artit Bashkëkohor “Zeta” në Tiranë.  Ekspozita ndërtohet mbi perspektivën, arkitekturën dhe historitë e mishëruara në fasadat e Tiranës. Gjashtëmbëdhjetë panelet e ekspozitës luajnë me shtresëzimin dhe çshtresëzimin, kompozimin dhe riorganizimin, duke vendosur utopi të ndryshme në të njëjtën hapësirë. Veprat e vendosin qytetin dhe arkitekturën e Tiranës në një dialog me historinë, idetë dhe perspektivat e ndryshme mbi të ardhmen.

8. KOLEKSIONI/ “RILINDJE NË MUZEUN ETNOGRAFIK” NË GJIROKASTËR

Muzeu Etnografik i Gjirokastrës prezanton për herë të parë sot një koleksion të pasur me kostume tradicionale nga Gjirokastra dhe trevat përreth. Aktiviteti sjell në vëmendje mjeshtërinë artizanale, identitetin dhe historitë e përcjella ndër breza.

9. ÇELET EKSPOZITA “GJITHÇKA QË SHOHIM FSHEH DIÇKA TJETËR”

“Gjithçka që shohim fsheh diçka tjetër” është ekspozita, që do të çelet nesër në orën 19:00 te galeria “Mag” në autostradën Tiranë-Durrës dhe bën bashkë artistët Artan Peqini, Artan Buca, Dea Tili, Gentian Tabaku, Parid Dule, Orlis Vathi dhe Shpëtim Kërçova, me Gazmend Lekën si të ftuar të posaçëm. Kurator i ekspozitës është Ardian Isufi.