Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“117”, FILMI I BESIM SAHATÇIUT, SHFAQJE NË AQSHF NË TIRANË

Në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, shfaq nesër në orën 12:30 në kinemanë "Drita" në AQSHF filmin dokumentar me metrazh të shkurtër "117", me skenar e regji nga Besim Sahatçiu dhe kamera nga Afrim Spahiu, prodhuar në vitin 1976 nga “Kosovafilm”.

Ky film paraqet stilin tradicional të jetesës së një familjeje shqiptare me 117 anëtarë, të gjithë duke jetuar nën një kulm dhe konsiderohet si një nga dokumentarët etnografikë më domethënës të rajonit.

Për shumë studiues dhe kritikë, kjo vepër mbetet një “portret shpirtëror i kombit”, sepse përmbledh brenda vetes vlerat më të thella: solidaritetin, bashkëjetesën dhe kulturën e pasur që ka formësuar popullin shqiptar. Të pranishëm në shfaqje do të jenë kineasti Afrim Spahiu, drejtor i fotografisë, si dhe përfaqësues nga QK Kosovë, ndërsa Rita Ora sjell me video një përshëndetje speciale.

2. “IBRAHIM MADHI IN MEMORIAM”, KONCERT NË SALLËN E ARTEVE

Artistë, pedagogë dhe studentë të Universitetit të Arteve bëhen bashkë në një koncert në përkujtim të Ibrahim Madhit. Koncerti do të mbahet në sallën e Universitetit të Arteve sonte në orën 19:00.

3. KONCERTI “KËNGA E MJELLMËS” NGA SCHUBERT NË SKENËN E TKOB-IT

"Kënga e Mjellmës", testamenti i fundit artistik i Franz Schubert vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi do t’i japin jetë këtij cikli poetik, sonte në orën 19:00.

4.  “GJEGJU FEST”, PËR HERË TË PARË NË TEATRIN “MIGJENI”

Në teatrin “Migjeni” në Shkodër do të mbahet për herë të parë festivali “Gjegju Fest”, duke filluar nga mbrëmja e sotme deri më 2 dhjetor.  Për tetë ditë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje të reja.

5. KONCERTI “CZECH BOYS - BONI PUERI”, PREMIERË NË TKOB

“Czech Boys – Boni Pueri”, kori i djemve me famë botërore nga Çekia, vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nesër në orën 19:00 me një koncert. 35 zëra do të dhurojnë një mbrëmje plot ngjyra dhe tinguj rinorë. Nën drejtimin e maestro Pavel Horák dhe me shoqërimin në piano të Vartan Agopian, “Boni Pueri” sjell një program të përzgjedhur nga repertori koral ndërkombëtar.

6. TEATRI “PETRO MARKO” SHËNON 63-VJETORIN NË NJË “FESTË”

Më 26 nëntor, aktorë, artistë dhe miq të teatrit “Petro Marko” në Vlorë do të mblidhen në këtë teatër për të nderuar rrugëtimin e këtij institucioni që shënon 63 vjet histori dhe që ka lënë gjurmë në kulturën e Vlorës .

7. “TINGUJT E NËNTORIT”, KONCERTI NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Tingujt e nëntorit” është koncerti që do të mbahet nesër në orën 18:00 në Teatrin e Kukullave me rastin e festave të nëntorit, një aktivitet që vjen si bashkëpunim mes Qendrës Kulturore Kombëtare të Fëmijëve në Tiranë me Qendrën Rinore në Pejë. Fëmijët do të sjellin këngë patriotike, valle tradicionale, sfilatë me veshje arbëreshe etj.

8. MONODRAMA “GRUA PËR SHTËPI” NË SKENËN E TEATRIT TË KORÇËS

 “Grua për shtëpi” është monodrama, që do të ngjitet në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë nesër në orën 12:00. E bazuar në tekstin e Franca Rame, shfaqja sjell në skenë historitë e grave, martesat e hershme dhe pritshmëritë e padrejta që shoqëria vendos mbi to.

9. LEDIA XHOGA VJEN NË TIRANË, PREZANTON ROMANIN “KEQKUPTIMI”

Ledia Xhoga, autorja e romanit “Keqkuptimi”, që këtë vit u përfshi në listën e librave pretendentë për çmimin “Booker Prize” në letërsi, nesër në orën 12:00 do të jetë e pranishme në një takim me gazetarë në librarinë “Babel” në Tiranë. Shkrimtarja vjen nga Nju Jorku për të prezantuar librin e saj “Keqkuptimi”, botim i shtëpisë botuese “Dudaj”.