Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. FESTA E FLAMURIT, NJË SËRË AKTIVITETESH NË QYTETIN E VLORËS

Festa e flamurit vjen nesër me një sërë aktivitetesh në qytetin e Vlorës, duke filluar prej orës 10:00. Pas ceremonisë zyrtare të ngritjes së flamurit, do të mbahet parada festive e Pavarësisë. Në orën 11:30 do të ketë një aktivitet me muzikë patriotike, valle ballkanike, polifoni dhe cirk. Më tej do të mbahet Festivali Folklorik “Shqipëria feston në Vlorë”. Në orën 17:00 në teatrin “Petro Marko” do të ketë një koncert nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, ndërsa më vonë, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura do të mbajë një performancë muzikore e vizuale, shoqëruar me projektim artistik mbi fasadën e Shtëpisë së Pavarësisë.

2. MUZIKA E FILMAVE SHQIPTARË, KONCERTI “NËNTORI I DYTË”

Tingujt që rrëfejnë kujtesën e kombit do të vijnë sonte në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në një bashkëpunim të mes dy orkestrave më të mëdha shqiptare; Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe kori i këtij teatri. Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, kjo natë do të rikthejë në sallë atmosferën e filmave që kanë shënjuar me nostalgji brezat shqiptarë.

3. “DUA MË SHUMË SHQIPËRINË”, NESËR KONCERT NË TEATRIN “SKAMPA”

 “Dua më shumë Shqipërinë” është koncerti që do të mbahet në teatrin “Skampa” në Elbasan, nesër në orën 18:00 me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë.

4. TRADICIONALJA NË AKUAREL, EKSPOZITË TE GALERI ODA NË SHKODËR

“Tradicionalja në Akuarel” titullohet ekspozita që do të çelet sot në orën 18:00 në galerinë “Oda” në Shkodër. Në të do të prezantohen punime të realizuara në teknikën e akuarelit, të frymëzuara nga veshjet popullore shqiptare.

5. “DET I THELLË BLU”, SHFAQJA E FUNDJAVËS NË TEATRIN KOMBËTAR

“Det i thellë blu” është shfaqja që do të vendoset në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e nesërme, të shtunën dhe të dielën në orën 20:00 me regji nga Rovena Lule Kuka dhe me aktorë: Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Florian Agalliu.

6.  SHKODËR/ “GJEGJU FEST” PËR HERË TË PARË NË TEATRIN “MIGJENI”

Në teatrin “Migjeni” në Shkodër po vijon të mbahet për herë të parë festivali “Gjegju Fest”.  Gjatë këtyre ditëve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje të reja.

7. “TINGUJT E NËNTORIT”, KONCERTI NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Tingujt e nëntorit” është koncerti që do të mbahet edhe sot në orën 18:00 në Teatrin e Kukullave me rastin e festave të nëntorit, një aktivitet që vjen si bashkëpunim mes Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Tiranë me Qendrën Rinore në Pejë. Fëmijët do të sjellin këngë patriotike, valle tradicionale, sfilatë me veshje arbëreshe etj.

8. “SALLONI I VJESHTËS” NË GALERINË E QYTETIT TË SHKODRËS

“Salloni i Vjeshtës” është aktiviteti që dotë mbahet në galerinë e qytetit të Shkodrës sot në orën 19:00. “Salloni i vjeshtës” shënon edicionin e tij të 19-të dhe cilësohet si eventi më i madh i vitit në galeri.