Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“KONTRA-KUNDT”, KONCERT ME MARIN GJOLLMËN E ELVIS RUDIN
Një rrugëtim muzikor magjik me kryevepra klasike interpretuar nga pianisti Marin Gjollma dhe flautisti Elvis Rudi do të vijë në koncertin “Kontra-kundt” mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Universitetin e Arteve në Tiranë.
2. SLOW TEXTING - LETRA MES MARTIN CAMAJT DHE ARSHI PIPËS
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë (COD) do të vijë një udhëtim intim mes letrave të rralla midis Martin Camajt dhe Arshi Pipës. “Slow Texting” – 260 letra të shkëmbyera përgjatë 33 viteve, do të ekspozohen në hapësirën e bibliotekës së COD-it, sot në orën 18:00.
3. “DIALOG TINGUJSH” NGA EJONA NAKO E KRISTINA PETROLLARI LAÇO
Një dialog tingujsh mes violonçelit dhe pianos sjell koncerti i sotëm në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dy artistet Ejona Nako dhe Kristina Petrollari Laço, do të ndërthurin tingujt e violonçelit dhe pianos në një bashkëbisedim shpirtëror përmes muzikës së Rachmaninov dhe Shostakovich.
4. “SHUMË PAK VRASËS”, KOMEDIA PREMIERË NË TEATRIN “SKAMPA”
“Shumë pak vrasës” është shfaqja me regji nga Rozi Kostani e lojën e aktorëve Helidon Fino, Vin Bejleri, Ola Harizaj, Marin Orhanasi etj., që do të vijë premierë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan sot dhe më 20 e 21 nëntor në orën 19:00.
5. MUZIKANTË DHE INSTRUMENTISTË, KONCERT “60 PLUS” NË SHKODËR
Muzikantë të ndryshëm, instrumentistë e këngëtarë do të bëhen bashkë për dy net, sot dhe nesër në orën 20:00 në koncertin “60 Plus” te “N’Odë” në Shkodër.
6. “PEMA HYJNORE”, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NGA GAZMEND ÇITAKU
“Pema hyjnore” është ekspozita fotografike nga Gazmend Çitaku që çelet te Galeria “Oda” në Shkodër mbrëmjen e sotme në orën 18:00.
7. NJË EKSPOZITË PËR ARTIN E QILIMAVE NË AZERBAJXHAN E SHQIPËRI
“Qoftë e shëndetshme dora që krijon”, ekspozitë mbi artin e qilimave në Azerbajxhan e Shqipëri është ekspozita që do të çelet sot te Galeria e Artit Tiranë. Ekspozita sjell qilimat historikë të Azerbajxhanit deri te interpretimet bashkëkohore të artistëve të njohur: Aidan Salakhova, Faig Ahmed, Rufat Ismayil, Xhevahir Kolgjini, Samira Allahverdiyeva dhe Rashad Alakbarov.
Komente












