Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.DITA E VERËS, KONCERTE, FESTË E PANAIRE NË GJITHË VENDIN
14 marsi sjell atmosferën festive të Ditës së Verës në shumë qytete të Shqipërisë, me koncerte, aktivitete për familjet, panaire artizanale dhe festa në hapësira publike. Nga Tirana në Elbasan, Berat, Durrës e më tej, qytetet do të mbushen me muzikë, traditë dhe aktivitete për të gjitha moshat.
Në Tiranë, një nga eventet kryesore është koncerti “Mirësevjen Pranverë”, i cili do të zhvillohet te Liqeni Artificial duke nisur nga ora 17:00. Në këtë mbrëmje festive do të performojnë Sara Payman, Rubin Kaso, DJ K dhe DJ Oli Poëer, duke sjellë muzikë dhe atmosferë pranverore në zemër të natyrës.
Po në kryeqytet, Rruga “Ibrahim Rugova” do të mirëpresë edhe këtë vit “Street Party”, një nga eventet urbane më të mëdha të Ditës së Verës. Festa nis në orën 12:00 dhe do të vazhdojë deri në mesnatë, duke sjellë muzikë dhe performanca nga artistë dhe DJ të ndryshëm. Aktivitete festive do të zhvillohen edhe në Parkun “Europa”, përgjatë Bulevardit, nga ora 10:00 deri në 16:00. Programi është konceptuar për familjet dhe fëmijët, me lojëra, produkte artizanale shqiptare, koncerte festive, biçikleta, lule dhe ballakume – simboli tradicional i kësaj feste.
Një tjetër aktivitet do të zhvillohet në rrugën “Pjetër Bogdani”, ku nga ora 12:00 deri në 20:00 do të organizohet një tavolinë e gjatë në rrugë, ku qytetarët dhe vizitorët mund të bashkohen për ushqim, biseda, muzikë dhe aktivitete për fëmijë. Ndërkohë, në Pazarin e Ri, nga ora 11:00 deri në 14:00, do të organizohet një festë me muzikë, valle dhe aktivitete për familjen. Fëmijët do të kenë mundësi të marrin pjesë në face painting dhe aktivitete me animatorë, ndërsa atmosfera muzikore do të shoqërohet nga DJ Ari Dee.
Në Parkun Kombëtar të Pezës, nga ora 11:00, do të zhvillohet koncerti “Behar n’Pezë”, ku do të performojnë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, grupi “3 Muskëtierët”, si dhe këngëtarët Eneda Tarifa, Renis Gjoka dhe Era Rusi.
Në Berat, festa e Ditës së Verës do të mbahet në Sheshin Akropoli në Kalanë e Beratit, ku qytetarët dhe turistët do të mund të shijojnë muzikë live nga Irma Libohova dhe një grup popullor, panair me produkte artizanale, aktivitete sportive dhe face painting për fëmijët.
Edhe në qytete të tjera do të ketë aktivitete festive. Në Divjakë, një koncert live do të zhvillohet te Kulla 360° në orën 10:30. Në Durrës një koncert festiv do të mbahet në Sheshin “Liria” duke nisur nga ora 10:00.
Në Gjirokastër, festimet do të zhvillohen në Parkun e Viroit nga ora 10:30, ndërsa në Mallakastër, te Liqeni i Ballshit, nga ora 10:00 deri në 16:00 do të organizohen koncerte live, ekspozita arti dhe zejesh, ekspozitë makinash retro, fermë kafshësh, kopsht lulesh dhe aktivitete për fëmijë.
Ndërkohë, Elbasani, qyteti i origjinës së kësaj feste i ka nisur festimet që më 9 mars, me një javë të mbushur me tradita, panaire, karnavale dhe koncerte që do të zgjasin deri më 15 mars, duke e kthyer qytetin në qendrën kryesore të festimeve të Ditës së Verës.
2. LUDWIG VAN BEETHOVEN, KONCERT I ORKESTRËS SIMFONIKE TË RTSH
Një mbrëmje me kryeveprat e Ludwig van Beethoven do të vijë në një koncert nga Orkestra Simfonike RTSH mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në Sallën e Universitetit të Arteve. Në program: Triple Koncerti, Op. 56 për violinë, violonçel dhe piano; Simfonia Nr. 5 në Do minor, vepra ikonike që ka sfiduar kohën dhe mbetet simbol i fatit që troket në derë. Solistë: Ermir Abeshi (violinë), Giuliano de Angelis (violonçel) dhe Merita Rexha Tërshana (piano), ndërsa dirigjent është Facundo Agudin.
3. KONCERTI “ALBANIAN SOUL” NË TKOB NGA ANA TAFANI E LAURA LILA
Pas një turneu në disa nga qytetet më të mëdha të Australisë, si: Sydney, Melbourne dhe Brisbane, “Albanian Soul” nga sopranoja Ana Tafani, vjen për publikun shqiptar në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, sonte në orën 19:00, për një mbrëmje që i kushtohet shpirtit të muzikës shqiptare. Së bashku me Laura Lilën në piano, koncerti do të sjellë një udhëtim metaforik nëpër Shqipëri, nga këngët e dashura qytetare shkodrane te meloditë arbëreshe dhe krijimtaria e kompozitorëve tanë më të njohur.
4. “ENERGJIA E CIRKUT”, SHFAQJE NË TEATRIN E KUKULLAVE
Cirku Kombëtar do të mbajë shfaqje nesër në orën 10:00 te Parku Rinia, në orën 11:00 në Amfiteatrin e Tiranës, ndërsa shfaqja “Energjia e Cirkut” do të vijë në orën 17:00 në Teatrin e Kukullave.
5. “PRINCESHAT DHE BIZELJA” NË SKENËN E TEATRIT TË KUKULLAVE
“Princeshat dhe bizelja” është shfaqja për fëmijë që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Kukullave nesër dhe pasnesër në oraret 10:30 dhe 11:30.
Komente












