Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONKURSI NDËRKOMBËTAR “YMER SKËNDERI” NË SALLËN E ARTEVE

Në Fakultetin e Muzikës në Tiranë vijon të mbahet edicioni i dytë i konkursit ndërkombëtar “Ymer Skënderi”, ku bëhen bashkë studentë, artistë e interpretues nga vende të ndryshme, si: Shqipëria, Kosova e Gjermania. Nata finale do të mbahet nesër, më 4 mars në orën 19:00 në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve.

2. DIZAJNI ITALIAN, PREZANTOHET NË TIRANË ‘SALONE DEL MOBILE..”

Në kuadër të “Italian Design Day”, Instituti Italian i Kulturës dhe “Italian Trade Agency” në Tiranë organizojnë prezantimin e “Salone del Mobile. Milano 2026”, me Marva Griffin dhe Alessandro Rossi, dy zëra autoritarë që udhëheqin inovacionin dhe kreativitetin e kohës sonë. Aktiviteti mbahet nesër në orën 12:00.

3. TEATRI I TË RINJVE NË SHKODËR, NË SKENË GRUPE NGA 8 SHKOLLA

“Teatri i të rinjve 2026” vijon të mbahet edhe sot dhe nesër në teatrin “Migjeni” në Shkodër, duke sjellë në skenë interpretime nga të rinj të tetë shkollave të mesme të qytetit.

4. “RETRO INTERNATIONAL FILM FESTIVAL” ME ARTISTËT E VITEVE ’90

“Retro International Film Festival” vijon të mbahet në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Festivali synon të sjellë magjinë e së kaluarës me imazhe e momente të viteve të shkuara.

5. “TELESCOPE KORÇA”, LABORATORI KRIJUES PËR VALLËZIMIN

“Telescope Korça”, një laborator krijues pesë-ditor, që do të ofrojë një hapësirë gjithëpërfshirëse për të eksploruar, zgjeruar dhe sfiduar qasjet artistike në vallëzim dhe performancë do të mbahet nga 4 deri më 8 mars në Qendrën e Artit dhe Kulturës në Korçë.

6. TAKIM NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË SHKRIMTARËVE TE “LEXIMTARI”

Sot në orën 18:30, në mjediset e librarisë “Leximtari” në Tiranë do të mbahet një takim për Ditën Ndërkombëtare të Shkrimtarëve organizuar nga Forumi 26. Me këtë rast, inaugurohet edhe një kënd i posaçëm për autorët që do të presin lexuesit, do të ndajnë biseda mbi krijimtarinë dhe do të japin autografe. Kjo nismë synon të forcojë dhe institucionalizojë bashkëpunimin mes autorëve dhe librarive.

7. “RENDI I RI”, SHFAQJA TEATRORE TE “MARGARITA TUTULANI”

 “Rendi i ri” është shfaqja teatrore që do të vijë në qendrën kulturore “Margarita Tutulani” në Berat, sot në orën 18:30.

8. “DYZET RREGULLAT E DASHURISË”, DISKUTIM TE “MOIKOM ZEQO”

 “Dyzet Rregullat e Dashurisë” nga Elif Shafak është libri i muajit, që do të diskutohet në bibliotekën “Moikom Zeqo”, nesër, në orën 17:30.

9. “FRIKË NGA ERRËSIRA”, SHFAQJE PËR FËMIJËT NË PATOS

Shfaqja për fëmijë “Frikë nga errësira” do të shfaqet nesër në Pallatin e Kulturës në Patos.