Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “DREJTËSI NË NUREMBERG”, PREMIERË NË TEATRIN KOMBËTAR

“Drejtësi në Nuremberg” është shfaqja me regji nga Arben Kumbaro, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar nesër në orën 20:00. Interpretojnë aktorët Myzafer Zifla, Alfred Trebicka, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja,  Viktor Zhusti,  Elia Zaharia etj.

2.NJË MBRËMJE PËR KULTURËN, GJUHËN DHE LETËRSINË ITALIANE

“Serata Italiana” do të mbahet nesër në orën 18:30 në Bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Gjatë mbrëmjes do të flitet për Italinë, kulturën dhe gjuhën italiane, për shkrimtarët italianë, ndërsa mbrëmja do të përmbyllet me një quiz argëtues.

3. MBRËMJE POETIKE PËR PIER PAOLO PASOLININ NË DITËN E LINDJES

Në ditën e lindjes së Pier Paolo Pasolinit Biblioteka Kombëtare organizon një mbrëmje letrare kushtuar artit poetik dhe vizionit krijues të tij.  Poet, shkrimtar, regjisor dhe një kritik i pashoq. Aktiviteti do të zhvillohet nesër në orën 18:00 në Sallën Italiane të Qendrës “Sotir Kolea”.

4. “VIZATOJMË ME DRITË”, PUNËTORI PËR FOTOGRAFINË TE “MARUBI”

 “Vizatojmë me dritë” është punëtoria që do të mbahet nesër prej orës 10:00-12:00 te Muzeu “Marubi” në Shkodër. Punëtoria fton të rinjtë në një përvojë eksperimentale i, ku fotografia zbulohet jo vetëm si imazh, por si proces krijues dhe kërkimor.

5. “GJYSMË-JETA E MARIE CURIE”, KTHEHEN SHFAQJET TE “METROPOL”

“Gjysmë-jeta e Marie Curie” rikthehet me disa shfaqje në teatrin e Metropolit në Tiranë nga 5 deri në 8 mars në orën 19:00. Shfaqja rrëfen historinë e forcës dhe rezistencës së dy grave të jashtëzakonshme shkencëtare, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe një pasion për shkencën.

6. KONKURSI NDËRKOMBËTAR “YMER SKËNDERI” NË SALLËN E ARTEVE

Në Fakultetin e Muzikës në Tiranë vijon të mbahet edicioni i dytë i konkursit ndërkombëtar “Ymer Skënderi”, ku bëhen bashkë studentë, artistë e interpretues nga vende të ndryshme, si: Shqipëria, Kosova e Gjermania. Nata finale do të mbahet sot në orën 19:00 në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve.

7. “TELESCOPE KORÇA”, LABORATORI KRIJUES PËR VALLËZIMIN

“Telescope Korça”, një laborator krijues pesë-ditor, që do të ofrojë një hapësirë gjithëpërfshirëse për të eksploruar, zgjeruar dhe sfiduar qasjet artistike në vallëzim dhe performancë do të mbahet prej ditës së sotme deri më 8 mars në Qendrën e Artit dhe Kulturës në Korçë.