Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “QYTETI I DEHUR”, EKSPOZITË NGA ANASTAS KONSTANDINI NË POGRADEC
Nesër në orën 19:00, në Galerinë e Arteve pranë Qendrës Multifunksionale në Pogradec çelet ekspozita personale “Qyteti i Dehur” e piktorit Anastas Konstandini (Taso). Cikli përfshin 50 punime në pastel, të frymëzuara nga kujtimet, jeta qytetare dhe traditat e vendlindjes, duke sjellë një rrëfim artistik mbi transformimin e realitetit dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 1 gusht.
2. “VALA FEST”, MUZIKË DHE ATMOSFERË VERORE NË DURRËS
Sonte dhe nesër mbrëma rikthehet në Durrës edicioni i tretë i “Vala Fest”. Festivali premton dy net me muzikë, atmosferë verore dhe aktivitete buzë detit, duke sjellë edhe një herë energjinë e sezonit turistik në qytetin bregdetar.
3. FOTOLIBRI SI PËRVOJË, BISEDË ME CALIN KRUSE NË SHKODËR
Shkodra mirëpret nesër në Muzeun e Fotografisë “Marubi”, Calin Kruse, drejtor i Leipzig Photobook Festival, në një ligjëratë kushtuar procesit të krijimit të librave të fotografisë dhe fotozinave. Gjatë takimit do të trajtohen etapat e realizimit të një fotolibri, nga përzgjedhja e fotografive dhe dizajni grafik deri te botimi, ndërsa publiku do të ketë mundësinë të shohë edhe një koleksion botimesh artistike të shtëpisë botuese.
4. “AIRBEAT FESTIVAL/LULUFEST”, SONTE EDICIONI I DYTË NË KORÇË
Korça mirëpret sot dhe nesër edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore “AirBeat Festival/LuluFest”. Për dy ditë me radhë, artistë dhe banda nga vende të ndryshme do të sjellin parada, koncerte dhe performanca në hapësirat publike të qytetit, duke e kthyer Korçën në një qendër të muzikës frymore.
5. “KRONIKË NË FESTË”, FESTIVAL KUSHTUAR VEPRËS SË ISMAIL KADARESË
Sonte dhe nesër, Pazari i Gjirokastrës bëhet skena e festivalit “Kronikë në festë”, kushtuar krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Programi përfshin punëtori, shëtitje kulturore, muzikë dhe aktivitete që rikthejnë në vëmendje universin letrar të shkrimtarit dhe lidhjen e tij me qytetin e lindjes.
6. “MOTOFEST”, MUZIKË DHE PARADË MOTORËSH NË POGRADEC
Më 17 dhe 18 korrik zhvillohet “MotoFest Pogradeci”, aktivitet që bashkon pasionin për motorët me koncertet live. Në skenë do të ngjiten Rubin Kaso, Frank Ibrahimi, Niki Zaimi dhe Offchestra, ndërsa parada tradicionale e motorëve do të zhvillohet nesër.
7. “STUDIOT E HAPURA – SESIONI II” NË “VILA 31 X ART EXPLORA”
Nga 17 deri më 19 korrik, “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë hap dyert për publikun në kuadër të “Studiove të Hapura”. Vizitorët do të kenë mundësi të takojnë artistët rezidentë, të njihen me procesin e tyre krijues dhe të ndjekin instalacione, performanca, projeksione dhe prezantime artistike.
8. TRADITË DHE KULTURË NË TROPOJË, MBAHET AKTIVITET “ALPET”
Sot dhe nesër, në Nikaj-Mërtur të Tropojës zhvillohet aktiviteti “Alpet”, një fundjavë që promovon natyrën alpine, traditat lokale dhe kulturën e zonës përmes aktiviteteve artistike dhe kulturore në zemër të Alpeve Shqiptare.
Komente











