Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “DUET” NGA MANUELA GARCÍA E FANI ZGURO TE GALERIA E TIRANËS
“Duet” nga Manuela García e Fani Zguro, do të mbahet sot në orën 18.00 te Galeria e Artit Tiranë. Në këtë edicion, artistët sjellin për publikun shqiptar një perspektivë të freskët e shumëdimensionale përmes krijimeve të tyre multimediale, që në thelb kanë konceptualizimin e identitetit dhe kulturave përkatëse.
2. PJETËR MARUBI DHE LINDJA E STUDIOS FOTOGRAFIKE NË SHQIPËRI
Libri “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni”, një studim shumëvjeçar mbi jetën, veprën dhe trashëgiminë e fotografit që themeloi studion e parë fotografike në Shqipni, do të prezantohet nesër në orën 19:00 në librari “Valentini” në Tiranë.
3. “GJYSMË-JETA E MARIE CURIE” TE TEATRI I METROPOLIT NË TIRANË
Shfaqja “Gjysmë-jeta e Marie Curie” rikthehet në skenën e teatrit “Metropol” sonte për të vijuar deri më 1 mars, çdo mbrëmje në orën 19:00. Shfaqja nën interpretimin e Yllka Mujos dhe Armela Demajt rrëfen historinë e forcës dhe rezistencës së dy shkencëtareve të jashtëzakonshme, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe pasionin për shkencën.
4. “DJALI” ME REGJI TË FATOS BERISHËS, RIKTHIM TE TKEKS
Shfaqja “Djali” nga Florian Zeller dhe me regji të Fatos Berishës rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nga 26 shkurt deri më 1 mars në orën 20:00.
5. “17 SHKURTI” ME PUNË TË PEDAGOGËVE TË PRISHTINËS E TIRANËS
Ekspozita “17 shkurti” vijon të qëndrojë e çelur te Galeria FAB në Tiranë. Në të ekspozohen punime të zgjedhura nga Stafi pedagogjik i Fakultetit të Arteve në Prishtinë dhe Fakulteti i Arteve të Bukura në Tiranë.
6. EKSPOZITA FOTOGRAFIKE NË GALERINË E ARTEVE TË VLORËS
“Vlora” është ekspozita fotografike nga Altin Serani e çelur në Galerinë e Arteve në Vlorë. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt.
Komente












