Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “KONSTELACION”, EKSPOZITË PERSONALE NGA JOANA DHIAMANDI
“Konstelacion” titullohet ekspozita personale nga Joana Dhiamandi e kuruar nga Ardian Isufi, që çelet sot në orën 18:00 te Galeria e Artit Tiranë.
2. “MBAJTA VETËM NJË KUJTIM”, PERFORMANCË ARTISTIKE TE “ÇEHOV”
“Mbajta vetëm një kujtim” është performanca artistike bashkëkohore, që do të vijë për publikun në sallën “Çehov” të teatrit “Metropol” në Tiranë, nesër në orën 18:00. Katër balerinë dhe një aktor eksplorojnë mbi atë që mbetet kur gjithçka tjetër shpërbëhet, duke përdorur lëvizjen, heshtjen dhe rrëfimin poetik për të reflektuar mbi kujtesën, humbjen dhe thelbin e të qenit njeri.
3. “GARDISHTA, TEMPUS CAPTUM”, INSTALACION FOTOGRAFIK DHE ZANOR
“Gardishta, Tempus Captum”, një instalacion fotografik dhe zanor nga Mikaela Minga, Orestia Kapidani dhe Frenkli Vjero mbi të tashmen e vendit dhe kujtesën e heshtur do të prezantohet sot në orën 18:00 te librari “Valentini” në Tiranë.
4. FILMI “PERFECT BLUE” NGA SATOSHI KON, SHFAQJE TE “BERK”
“Perfect blue” nga Satoshi Kon është filmi që do të shfaqet te “Berk”, nesër në orën 19:00. Pas filmit do të luhet dhe një kurim muzikor të përzgjedhur për rastin.
5. “PRINCESS MONONOKE”, SHFAQJE TE “STREHA COFFEE & COMMUNITY”
“Princess Mononoke” është filmi që do të shfaqet te “Streha Coffee & Community” nesër në orën 19:30.
6. “POST BLLOK”, EKSPOZITA E PESË ARTISTËVE BASHKËKOHORË
“Post Bllok” është ekspozita nga pesë artistë bashkëkohorë e çelur në “Bazament Art Space” në Tiranë. Fotografitë, fijet, dylli, letra e punuar me dorë dhe objektet e gjetura funksionojnë si gjurmë fizike të historisë dhe si forma për ta rishkruar atë.
7.“IMAGES FROM ASIA” NË GALERINË “NIKOLET VASIA” NË DURRËS
Një udhëtim vizual mes kulturave, ngjyrave dhe historive njerëzore të Azisë, përmes objektivit të fotografit Massimo Saretta vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.
8. “SHUMË PAK VRASËS”, KOMEDIA MISTERIOZE RIKTHEHET NË TKEKS
Një komedi misterioze me regji nga Rozi Kostani, “Shumë pak vrasës” rivjen për publikun në sallën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00.
Komente












