Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KOSTANDIN TASHKO, PIANISTI SHQIPTAR, KONCERT NË TKOB
Pianisti Kostandin Tashko, një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij në pianizmin ndërkombëtar vjen me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mbrëmjen e nesërme në orën 19:00, ku do të interpretojë Koncertin për Piano nr. 2 në Sol minor, op. 16 të Sergei Prokofiev.
2. “HIRI”, EKSPOZITA E ENEA ZIUT NË GALERINË E TIRANËS
“Hiri” është ekspozita e artistit Enea Ziu kuruar nga Kristian Zara, që vijon të qëndrojë e çelur në Galerinë e Artit Tiranë. “Hiri”, si subjekt i kësaj ekspozite, eksploron pagëzimin si një thirrje ontologjike dhe pendesën si hapin e parë drejt transformimit shpirtëror. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 mars.
3. FESTIVALI I SHKENCËS NË TEATRIN “ZIHNI SAKO” NË GJIROKASTËR
Festivali i Shkencës mbahet nesër prej orës 11:00 në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër.
4. RIKTHEHEN TE KUKULLAT SHFAQJET E “KLANI I TË DIVORCUARAVE”
“Klani i të divorcuarave” rivjen për publikun mbrëmjen e sotme, nesër dhe më 18 mars në orën 20:00 në Teatrin e Kukullave në Tiranë.
5. “MOTHER NATURE”, EKSPOZITA NDËRKOMBËTARE NË MJEDISET E COD
Ekspozita ndërkombëtare MAMA “Mother Nature”, një projekt artistik që sjell një dialog mes artit dhe ekologjisë përmes veprave të artistëve nga vende të ndryshme të botës vijon të qëndrojë e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryministrisë (COD) edhe ditën e sotme dhe nesër.
6. “MASK”, EKSPOZITA E VIKTOR FERRAJT NË GALERINË FAB TE ARTET
“Mask” është ekspozita e artistit Viktor Ferraj, që vijon të qëndrojë e çelur për publikun në galerinë FAB të Universitetit të Arteve. Ekspozita vjen e kuruar nga Petraq Papa dhe do të jetë e hapur deri më 23 mars.
Komente












