Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KONCERT E LIBËR NË 90-VJETORIN E KOMPOZITORIT FEIM IBRAHIMI
Në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit Feim Ibrahimi, sonte në orën 18:00 në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, do të mbahet një koncert dedikuar veprës së kompozitorit që reformoi muzikën shqiptare. Koncerti do të shoqërohet nga botimi i albumit me pjesë pianistike për moshat 5 - 20 vjeç. Koncerti do të mbahet edhe në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër, më 23 tetor, në orën 19:00.
2. “KËNGA IME NDAJ NAT’HERE”, MBRËMJE HOMAZH PËR TEFTA TASHKON
Një homazh për sopranon legjendare që la pas një trashëgimi kulturore në artin shqiptar dhe një figurë frymëzuese për të gjitha gratë është aktiviteti “Tefta Tashko Koço Event – Kënga ime ndaj nat’here”, që do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 19:30 në sallën e Kishës Orthodokse në Tiranë.
3. RRËFIME DHE MBRËMJE PËRKUJTIMORE PËR DRITËRO AGOLLIN TE COD
“Rrëfime Nostalgjike – Mbrëmje përkujtimore për Dritëro Agollin” është aktiviteti kushtuar kujtimit të jetës dhe veprës së shkrimtarit Dritëro Agolli, që do të mbahet në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë nesër në orën 18:00.
4.EKSPOZITË ME FOTOGRAFI TË RRALLA PËR SHQIPËRINË 1921
Ekspozita “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard” do të çelet sonte në orën 18:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë. Ajo sjell për herë të parë para publikut shqiptar një thesar historik dhe fotografik të rrallë: Shqipëria e vitit 1921, e dokumentuar nga antropologu dhe akademiku i shquar zviceran Eugène Pittard.
5. “KOLLTUKU”, SHFAQET PREMIERË FILMI I FUNDIT I NAUN SHUNDIT
“Kolltuku”, filmi ku ka interpretuar për herë të fundit aktori Naun Shundi do të shfaqet premierë mbrëmjen e nesërme në orën 18:00 në kinema “Millenium” në Tiranë. Filmi vjen si homazh në përkujtim të artistit të ndarë nga jeta pak kohë më parë.
6. SHFAQJE VENTRILOKUIZMI NË TEATRIN EKSPERIMENTAL NGA DHIMA
“Ventrilokuizëm show: Kush foli?” nga Arjeta Dhima do të vijë në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.
7. “LËKURA NË HUAZIM”, EKSPOZITA E IDLIR KOKËS NË SHKODËR
“Lëkura në huazim” është ekspozita personale e Idlir Kokës, kuruar nga Stefano Romano, që do të çelet sonte në orën 18:00 te “Shkodra Arthouse”. Marrja e lëkurës hua është metafora e përdorur nga Idlir Koka për këtë seri pikturash, që flasin për trauma, vuajtje, dyshime; të hetuara pikërisht duke nisur nga vijat e lëkurës.
8. “GRUAJA E BURRIT TIM”, TEATRI “ÇAJUPI” SHFAQJE NË KAMËZ
“Gruaja e burrit tim” është komedia e teatrit shëtitës “Çajupi”, që shfaqet sot në orën 17:00 do të në Pallatin e Kulturës në Kamëz.
Komente












