Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “ETERA SONORE”, KONCERTI ME MUZIKË KLASIKE NË DURRËS
“Etera Sonore”, një mbrëmje dedikuar muzikës klasike do të vijë në Muzeun Etnografik të Durrësit, nesër në orën 20:00. Në skenë do të ngjitet Kuinteti i Harqeve me Laura Llozin dhe Fatos Bardullën në violinë, Arben Llozin në violë, Dorina Laron në violonçel dhe Artur Stafhasanin në kontrabas. Koncerti do të drejtohet artistikisht nga Olta Juba dhe do të sjellë vepra të kompozitorëve më në zë të botës.
2. “VALA FEST” MBËRRIN NË SHËNGJIN, DY NET ME MUZIKË E RITME
Më 24 dhe 25 korrik, bregdeti i Shëngjinit do të mirëpresë "Vala Fest", një festival muzikor që premton dy net me ritme, energji dhe atmosferë verore. Në skenë do të interpretojnë Luiz Ejlli, Soni Malaj, Klea Marku, David Dreshaj dhe artistë të tjerë.
3. “FESTA E MIQËSISË” NË BERAT, MUZIKË LIVE DHE ARGËTIM
Nga 24 deri më 26 korrik, Sheshi “Teodor Muzaka” në Berat do të jetë qendra e “Festës së Miqësisë 2026”. Programi përfshin muzikë live dhe aktivitete festive, ndërsa publiku do të argëtohet me performancat e Endri e Stefi, Devis Xherahut, Lorenc Hasramës dhe Gerta Mahmutajt, Rea Nuhut, Fjorelës dhe Valdrin Mustafës.
4.AKTIVITETI LETRAR PËR POEZINË! "ZËRI I VARGUT" NË DURRËS
“Zëri i Vargut”, një mbrëmje kushtuar poezisë, ku fëmijë dhe të rinj do të prezantojnë krijimet e tyre para publikut do të mbahet më 23 korrik, në orën 18:00, në Muzeun Etnografik të Durrësit.
5. “FREKUENCË OUTDOORS & INDOORS”, RITME DHE MUZIKË NË TIRANË
Më 24 korrik zhvillohet në Tiranë aktiviteti “Frekuencë Outdoors & Indoors”, i organizuar në dy skena. Programi nis në orën 20:00 me performancat e Undo Redo aka IVI & CUC në ambientin e jashtëm. Nga ora 21:00 deri në mesnatë, muzika vazhdon paralelisht në skenën e jashtme dhe të brendshme me Legoff, Gurthang dhe Brnø. Pas mesnate, aktiviteti vijon vetëm në ambientin e brendshëm deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa pishina do të jetë e hapur deri në mesnatë.
6. “RETRO” NË VLORË, EKSPOZITË PËR AUTOMJETET KLASIKE
“Retro”, një ekspozitë kushtuar automjeteve klasike do të vijë në Lungomare, në Vlorë më 24 korrik. Vizitorët do të kenë mundësinë të admirojnë makina historike dhe të përjetojnë atmosferën e veçantë të botës së automjeteve retro.
7. FESTA E ROSKOVECIT, NJË JAVË AKTIVITETE NË SHESHIN “BAZAAR”
Roskoveci nis festimet tradicionale më 24 korrik, të cilat do të zgjasin deri më 31 korrik. Çdo mbrëmje, nga ora 21:00 deri në 23:00, Sheshi “Bazaar” do të mirëpresë aktivitete festive dhe artistike për banorët dhe vizitorët në Festën e Roskovecit.
8. “ZA FEST”, TRI NET ME MUZIKË DHE SPEKTAKËL NË SHKODËR
Në Shkodër rikthehet edhe këtë vit “Za Fest”, festivali që prej një dekade shoqëron netët e verës me muzikë dhe spektakël. Aktiviteti zhvillohet më 23, 24 dhe 25 korrik, duke sjellë tri mbrëmje me artistë dhe performanca në atmosferën karakteristike pranë Kalasë së Rozafës.
9.OPERA “L'ELISIR D'AMORE” E DONIZETIT, SHFAQJE NË VLORË
Në Vlorë, artdashësit dhe turistët vendas e të huaj janë të ftuar të ndjekin operën komike në dy akte “L'Elisir d'Amore” të Gaetano Donizettit, me libret nga Felice Romani. Shfaqja vjen sonte në orën 20:00 në Lungomare, me interpretime nga Josif Gjipali, Ardita Meni, Artur Vera, Eugenio Maria Degiacomi dhe Greis Shametaj.
Komente











