Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “FUNDI I GOLEMËVE” NGA KOMPOZITORI NIKOLLA ZORAQI TE TKOB
“Fundi i Golemëve”, opera shqiptare e kompozitorit Nikolla Zoraqi, vjen si premierë botërore nesër, më 29 e 30 maj në orën 20:00 në skenën e TKOBAP-së. Me libret nga Kolë Jakova, nën dirigjimin e maestros Zhani Ciko dhe me konceptin regjisorial të Nikolin Gurakuqit, zërat e solistëve, kori dhe Orkestra Simfonike e Operës sjellin në jetë dramën e një epoke që shembet, por që vazhdon të jetojë përmes kujtesës dhe artit.
2. KONCERT RECITAL VIOLINISTIK DHE TINGUJ PIANOJE NË TKOB
Një koncert i violinistit Juri Dajani dhe pianistëve Rudina Ciko dhe Erbli Zade do të mbahet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
3.KONCERTI “NINULLAT E NATYRËS” NGA “ÇEL ENSEMBLE” TE “SKAMPA”
“Ninullat e Natyrës” nga Çel Ensemble është koncerti që do të vijë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan, nesër në orën 19:00, duke përcjellë për dëgjuesit e sotëm disa prej këngëve të vjetra, elegante e më romantike të Shqipërisë së Mesme. Një ansambël live që ndërthur zemrën e folklorit me pulsime bashkëkohore.
4. 80-VJETORI I SHPËTIM KUSHTËS, KONCERT KLASIK NË VLORË
Sot në orën 19:00 në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë mbahet një koncert nga violonçelisti Pjetër Guralumi dhe pianistja Laura Lila me muzikë nga Franz Schubert, Shpëtim Kushta dhe Dmitri Shostakovich. Koncerti do të sjellë një sërë veprash, mes të cilave “Këmbanat e heshtjes”, si një urim për 80-vjetorin e lindjes kompozitorit Shpëtim Kushta në qytetin e tij.
5. EKSPOZITA “PEOPLE ARE CLOSER THAN THEY APPEAR” NË SHKODËR
“Njerëzit janë më afër nga ç’duket” (People are closer than they appear) është ekspozita e kuruar nga Maurin Dietrich, që do të vijë në Galerinë e Shkodrës prej mbrëmjes së sotme deri më 31 maj, si pjesë e edicionit të nëntë të “Ekrani i Artit”.
6. “TIRANA MEDITERRANEAN FILM FESTIVAL” NË EDICIONIN E DYTË
Festivali i Filmit Mesdhetar në Tiranë (Tirana Mediterranean Film Festival) vjen në edicionin e dytë prej mbrëmjes së nesërme deri në 31 maj në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë.
Komente











