Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.EKSPOZITË ME FOTOGRAFI TË RRALLA TË SHQIPËRISË NË 1921

“Shqipëria 1921 – Eugène Pittard” është ekspozita që do të çelet mbrëmjen e nesërme në orën 18:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë. Ekspozita sjell për herë të parë përpara publikut shqiptar një thesar historik dhe fotografik të rrallë: Shqipëria e vitit 1921, e dokumentuar nga antropologu dhe akademiku i shquar zviceran Eugène Pittard.

2. KONCERT PIANISTIK ME VEPRA TË KOMPOZITORIT FEIM IBRAHIMI

Feim Ibrahimi, “Udhëtim në fëmijëri” është koncerti pianistik, që do të mbahet te salla “Tonin Harapi” e Liceut Artistik “Jordan Misja” mbrëmjen e nesërme në orën 18:00. Koncerti përkujton artistin e njohur në 90-vjetorin e lindjes, ndërsa paralelisht me të vjen i botuar edhe një libër, ku përmblidhen pjesë pianistike të kompozuara nga Feim Ibrahimi.  Koncerti do të mbahet edhe në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër, më 23 tetor, në orën 19:00.

3. “LËKURA NË HUAZIM”, EKSPOZITA E IDLIR KOKËS NË SHKODËR

“Lëkura në huazim” është ekspozita personale e Idlir Kokës, kuruar nga Stefano Romano, që do të çelet mbrëmjen e nesërme në orën 18:00 te “Shkodra Arthouse”. Marrja e lëkurës hua është metafora e përdorur nga Idlir Koka për këtë seri pikturash, që flasin për trauma, vuajtje, dyshime; të hetuara pikërisht duke nisur nga vijat e lëkurës.

4. MBRËMJE LETRARO-MUZIKORE NË 125-VJETORIN E NAIM FRASHËRIT

 “Naim Frashëri – In memoriam” është mbrëmja letraro-muzikore, që do të mbahet në Torrën Veneciane në Durrës sonte në orën 18:00. Aktiviteti vjen në kujtim të 125 vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit Naim Frashëri.

5. JAVA KULTURORE E KAZAKISTANIT, KINEMAJA KAZAKE NË TIRANË

Për publikun shqiptar, sot në orën 15:00 e në orën 18:00 dhe nesër në orën 18:00, në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë do të shfaqen tre filma nga “Kazakhfilm”, që pasqyrojnë historinë, emocionin dhe shpirtin e Kazakistanit përmes kinemasë. Bëhet fjalë për filmat “Myn Bala: Warriors of the Steppe”,  “Operation Nabat” dhe filmi “Amre”.

6. FESTIVALI I GJUHËS ITALIANE “TRECCANI” MBËRRIN NË TIRANË

Në kuadër të Festivalit të Gjuhës Italiane “Treccani”, sot në orën 18:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë nga Michele Cortelazzo, akademik pranë Açademia della Crusca dhe profesor i njohur i Gjuhësisë Italiane në Universitetin e Padovës, do të mbahet konferenca me titull “Heteroglosia politike: si flasin italisht leader-at e huaj“ dhe Carmen Lasorella, gazetare dhe shkrimtare, me takimin me titull “Privilegji i përgjegjësisë. Gazetaria dhe pushteti”. Festivali i Gjuhës Italiane synon të nxisë shkëmbimin kulturor midis dy brigjeve të Adriatikut dhe të rrisë njohuritë e italishtes jashtë Italisë.  Eventi në Shqipëri përmbyll edicionin XXV të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, kushtuar këtë vit temës “Italofonia: gjuhë përtej kufijve”.

7. “GRUAJA E BURRIT TIM”, TEATRI “ÇAJUPI” SHFAQJE NË KAMËZ

 “Gruaja e burrit tim” është komedia e teatrit shëtitës “Çajupi”, që mbrëmjen e nesërme në orën 17:00 do të shfaqet në Pallatin e Kulturës në Kamëz.