Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.FESTIVALI I 28-TË NDËRKOMBËTAR I TEATRIT “SKAMPA” NË ELBASAN

Festivali i 28-të Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” kthehet në Elbasan prej mbrëmjes së nesërme deri më 5 tetor. Shfaqja e parë që do të ngjitet në skenë është “Medea”, më 30 shtator, në orën 19:30.

2. “NO LIMITS” NGA TETË FOTOGRAFË ITALIANË NË GALERINË “ODA”

Nesër, më 30 shtator, në orën 19:00, Galeria “Oda” në Shkodër çel ekspozitën “No Limits”, ku prezantohen punët e tetë fotografëve italianë. Ekspozita zhvillohet në kuadër të edicionit të 17-të të “Fokus Award” dhe sjell për publikun një panoramë të krijimtarisë fotografike bashkëkohore italiane.

3. LIBRI I DIANA KASTRATIT, PREZANTIM NË DITËN E PËRKTHIMIT

“Arti i papërsosmërisë. Studime, reflektime e qasje me trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar” është libri që do të prezantohet nga Diana Kastrati në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, nesër në orën 10:30, pikërisht në Ditën e Përkthimit.

4. “ILUZIONE NË NJË BOTË TË TURBULLT”, EKSPOZITA NGA ABAZ HADO

“Iluzione në një botë të turbullt” është ekspozita nga Abaz Hado, që do të çelet sot në orën 18:30 në “Maritim-Hotel Plazza” në Tiranë.

5. FESTIVALI “KËNGA JEHO” NË QENDRËN KULTURORE TË FËMIJËVE

“Kënga Jeho në Durrës”, Festivali Mbarëkombëtar i Interpretuesve dhe Krijuesve të Këngës Popullore për Fëmijë do të mbahet prej mbrëmjes së nesërme në orën 18:00 deri më 1 tetor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës.

6. PREMIERA “MAMA” NGA XHULIANO BRISKU NË TEATRIN “BYLIS”

Teatri “Bylis” sjell nesër në orën 19:00 premierën e shfaqjes “Mama” me regji të Xhuliano Briskut dhe me autor Odise Plakun. Shfaqja rrëfen historinë e një mësueseje në prag të pensionit, e cila ka edukuar breza të tërë nxënësish, por nuk ka mundur të gjejë te i biri dashurinë dhe përmbushjen që ka shpresuar. Ajo do të vijojë të shfaqet deri më 2 tetor.

7.KOMEDIA “DASMA” E VARDAR, TRI SHFAQJE NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Dasma”, komedia e Alil Vardar, do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit të Kukullave edhe sonte dhe nesër në orën 20:00.

8. KËNGËTARI RENIS GJOKA, KONCERT LIVE PËR PUBLIKUN NË PATOS

Renis Gjoka do të vijë me një koncert ‘live’ në Patos, të hapur për publikun, mbrëmjen e sotme.

9. TIRANË/“PLATONËT E VEGJËL” – LABORATOR FILOZOFIE PËR FËMIJË

“Platonët e Vegjël” vijon me takimin e dytë të programit “Të mërkurave me Platonët e Vegjël”, një laborator filozofie, leximi dhe krijimtarie për fëmijët 7–10 vjeç. Takimi zhvillohet më 30 shtator në orën 18:00 te libraria “Valentini” në Tiranë.