1.FESTA/ “LOGU I BJESHKËVE 2026” NË KELMEND ME GËZIM NIKËN

Një ditë feste është ajo e nesërmja, më 9 gusht, në Kelmend, në Qafën e Perdelecit. “Logu i Bjeshkëve 2026” do të mbledhë banorë e vizitorë në një atmosferë të veçantë, ku tradita, muzika dhe kultura shqiptare do të jenë në qendër të festimeve. I ftuar në aktivitet është këngëtari Gëzim Nika.

2. “ÇEÇO FEST 2026” DHE KINEMAJA E HAPUR, VERA NË GJIROKASTËR

Nga 7 deri më 9 gusht, Kalaja e Gjirokastrës pret “Çeço Fest 2026” me një program festiv me muzikë dhe aktivitete kulturore. Ndërkohë, në sheshin “Çerçiz Topulli” vijon kinemaja e hapur deri më 10 gusht. Çdo mbrëmje, duke nisur nga ora 20:30, publiku mund të ndjekë filma në një atmosferë verore.

3. “FESTA E MIQËSISË 2026”, MUZIKË LIVE DHE FESTIME NË LUSHNJË

Edhe sot dhe nesër, Sheshi i Qytetarëve në Lushnjë mirëpret “Festën e Miqësisë 2026”. Programi përfshin koncerte me muzikë live dhe aktivitete festive, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim për banorët dhe vizitorët.

4. “FEST FOLK 2026”/ ANSAMBLI KOMBËTAR, TURNE NË GJITHË VENDIN

“Fest Folk 2026”, organizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, e kthen muajin gusht në një festë të folklorit shqiptar. Turneu nis sonte në Sarandë dhe do të vijojë deri më 24 gusht në Laç, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Vajzë, Berat dhe Fier.

5. “PORTO PALERMO FESTIVAL”, NË SKENË PERISTERI E ELINA DUNI

Porto Palermo Festival vijon me edicionin e tij të gjashtë. Mbrëmjen e sotme do të interpretojë këngëtarja Anxhela Peristeri, ndërsa nesër publiku do të ketë mundësi të ndjekë performancën e artistes Elina Duni.

6. “FESTA E MËRGIMTARIT”, DY DITË AKTIVITETE NË FUSHË-ARRËZ

Sot dhe nesër në Fushë-Arrëz zhvillohet “Festa e Mërgimtarit”. Programi përfshin aktivitete kulturore, koncerte, aktivitete sportive dhe Maratonën Ndërkombëtare “Migrant Trail”.

7. FESTIVALI “NONA”, FESTA KOMBËTARE E GJYSHEVE NË PËRMET

Në Përmet vijon edhe sot dhe nesër festivali “Nona”, i njohur si festa kombëtare e gjysheve shqiptare.

8. “FILMAT SHQIPTARË NDËR VITE”, RIKTHEHEN NË EKRAN TE QENDRA “AGIMI”

“Filmat shqiptarë ndër vite” është aktiviteti që vijon deri më 20 gusht në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Publiku ka mundësi të ndjekë filma që kanë lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare, me shfaqje të programuara gjatë paradites dhe në mbrëmje.