Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “IBRAHIM MADHI IN MEMORIAM”, KONCERT NË SALLËN E ARTEVE
Artistë, pedagogë dhe studentë të Universitetit të Arteve bëhen bashkë në një koncert në përkujtim të Ibrahim Madhit. Koncerti do të mbahet në sallën e Universitetit të Arteve nesër në orën 19:00.
2. KONCERTI “KËNGA E MJELLMËS” NGA SCHUBERT NË SKENËN E TKOB-IT
"Kënga e Mjellmës", testamenti i fundit artistik i Franz Schubert vjen premierë absolute në Shqipëri në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi do t’i japin jetë këtij cikli poetik, nesër në orën 19:00.
3. “ARTI I FIJES NË JELEKË – ELEGANCË QË MAGJEPS” NË SHKODËR
Një rrëfim delikat do të marrë formë përmes fijes, ngjyrës dhe dorës së gruas artizane shqiptare në ekspozitën “Arti i fijes në jelekë - Elegancë që magjeps”, që do të çelet nesër në orën 11:00 te Muzeu Historik në Shkodër.
4. “GJEGJU FEST”, PËR HERË TË PARË NË TEATRIN “MIGJENI”
Në teatrin “Migjeni” në Shkodër do të mbahet për herë të parë festivali “Gjegju Fest”, duke filluar nga mbrëmja e 25 nëntorit deri më 2 dhjetor. Për tetë ditë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje të reja.
5. “NËNTORI 28” NË FAB, RIKTHEHET GRUPI I ARTISTËVE PAMORË
Ekspozita e grupimit “Nëntori” vijon të qëndrojë e hapur te galeria FAB në Universitetin e Arteve.
6. “JOSEPH FOUCHÉ” NGA STEFAN ZWEIG NË KLUBIN E LIBRIT “DUA”
Më 25 nëntor në orën 18:30, në Qendrën DUA do të flitet për librin “Joseph Fouché” nga Stefan Zweig. Në këtë mbrëmje do të ndahen përshtypjet mbi librin, do të diskutohen mesazhet e tij mbi pushtetin, moralin dhe natyrën njerëzore, si dhe do të reflektohet mbi mënyrën si Zweig ndërthur historinë me introspeksionin psikologjik.
Komente












