Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“GRUAJA NË OPERËN E DASHURISË”, KONCERT NË SKENËN E TKOB
“Gruaja në Operën e Dashurisë” është koncerti vokal-instrumental, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 19:00. Në qendër të mbrëmjes, heroinat ikonike të repertorit botëror operistik marrin frymë përmes interpretimit të sopranos Alisa Katroshi, shoqëruar në piano nga Herta Cane.
2.METRO SOUND-TRACK, MUZIKA E FILMIT SHQIPTAR ME GRIDI KRAJËN
Një mbrëmje e veçantë kushtuar muzikës së filmit shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe interpretimin e orkestrës simfonike SinfoArt do të vijë mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 19:00 në teatrin e Metropolit. Gjatë koncertit do të interpretohen veprat e Çesk Zadesë nga “Skënderbeu – Suite”, muzika prekëse e Aleksandër Lalos për “Dimri i fundit”, kompozimet e Robert Radojës në “Mëngjese lufte”, si dhe krijimet emblemë të Aleksandër Peçit për “Gjeneral Gramafoni”. Publiku do të dëgjojë gjithashtu meloditë e paharrueshme të Limos Dizdarit nga “Rrugë të bardha” dhe “Mësuesja”, kompozimet plot ndjesi të Hajg Zaharianit nga “Besa e kuqe” dhe “Dora e ngrohtë”, si dhe kolonën zanore të dashur të Agim Krajkës nga “Zonja nga qyteti”. Muzika e Kujtim Laros do të vijë po ashtu në skenë me veprat e filmave “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Lulëkuqe mbi mure”.
3. “IMPRESIONE URBANE”, EKSPOZITË E KATËR ARKITEKTËVE NË DURRËS
“Impresione Urbane” është ekspozita e katër arkitektëve: Maksim Mitrojorgji, Valentin Voshtina, Pirro Stefa e Olsi Plasa, që do të çelet nesër në orën 18:00 në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës.
4. SHFAQJA “I HUAJI” NGA ALBERT CAMUS NË TEATRIN EKSPERIMENTAL
“I huaji” nga Albert Camus është shfaqja që do të vijë premierë te Teatri Kombëtar Eksperimental “K. Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e sotme në orën 20:00.
5. “PUKA N’FEST”, Konkurs fotografie PËR MAGJINË E PUKËS
“Puka N’Fest” është festivali që po mbahet në Pukë e që sjell kulturë dhe argëtim. Sot dhe nesër, si pjesë e këtij festivali do të organizohet Konkursi i Fotografisë, në qendër të të cilit është Puka.
6. 50-VJETORI I ANIMACIONIT, FILMA TE KINEMA “DRITA” E “AGIMI”
Në Tiranë po vijon të mbahet aktiviteti lidhur me 50-vjetorin e animacionit shqiptar. Pjesë e tij janë dhjetëra filma, që shfaqen në pika të ndryshme të kryeqytetit. Sot dhe nesër do të vijojnë të shfaqen një sërë filmash te qendra e artit “Agimi” dhe te kinema “Drita” në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
7. SHFAQJA “HALLI HALLIT NUK I NGJAN” TE TEATRI “PETRO MARKO”
“Halli hallit nuk i ngjan …” është shfaqja që vjen premierë mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë .
8. “FAUSTI” VIJON SHFAQJET NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR
“Fausti” vijon shfaqjet e tij në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Ai do të shfaqet sonte në orën 20:00.
Komente











