Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.NDIKIMI I FOTOGRAFËVE ITALIANË NË VENDET E MESDHEUT
“Ndikimi i fotografëve italianë në vendet e Mesdheut gjatë shek. XIX” është konferenca shkencore ndërkombëtare që do të mbahet në Auditoriumin e Gjimnazit privat “Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër ditën e nesërme. Aktiviteti vjen si bashkëpunim i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe Fondacionit Alinari për Fotografinë, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
2. EKSPOZITË PËR GURËT DHE KRISTALET E SHQIPËRISË NË STOLI
“Gurët dhe Kristalet e Shqipërisë në Stoli Artizanale” është ekspozita që do të çelet nesër orën 11:30 në Qendrën Kulturore “Albanian” në Tiranë.
3. FORUM TE SHKENCAT PËR TRASHËGIMINË GJUHËSORE TË TIRONËS
“Trashëgimia gjuhësore e Tironës mes globalizmit dhe teknologjisë” është forumi organizuar nga fondacioni “Arben Tafaj”, në kuadër të ruajtjes së vlerave, rritjes së kulturës dhe zhvillimit të traditës së qytetit të Tiranës, që do të mbahet nesër në orën 10:30 në Akademinë e Shkencave.
4.MBRËMJE KONCERTORE ME KËNGË E VALLE QYTETARE BERATASE
Një koncert me këngë e valle qytetare beratase do të vijë mbrëmjen e sotme në orën 18:30 te Qendra Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat.
5. FESTIVALI I PARË NDËRKOMBËTAR I BANDAVE FRYMORE NË KORÇË
Për herë të parë, Korça bëhet qendra ku do të takohen ritmet dhe tingujt e bandave nga vende të ndryshme nga 24 deri më 26 tetor në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore.
6. “TREGIME FSHATI: BOBOSHTICË”, USHQIME DHE MUZIKË NË FSHAT
Më 24 dhe 25 tetor, nga ora 11:00-20:00, Boboshtica hap dyert për një fundjavë me shije, traditë e muzikë. Nga përvoja në ferma, gatimi në saç dhe rakia e manit, deri te performanca electro swing jazz dhe serenatat korçare do të bëhen pjesë e “Tregime Fshati: Boboshticë”.
7. “TË ZAKONSHMIT”, FILMI GJERMAN SHFAQET NË QENDRËN “GËTE”
“The Ordinaries” (Të zakonshmit), një histori për identitetin, përjashtimin dhe kërkimin e përkatësisë do të shfaqet në Qendrën “Gëte” në Tiranë mbrëmjen e sotme në orën 18:00. Filmi do të transmetohet në gjermanisht me titra në anglisht.
8. “BABAI”, SHFAQJE NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL
Shfaqja “Babai” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e sotme e deri më 26 tetor në orën 20:00.
Komente












