Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “HISTORIA E SHQIPËRISË NËN PENËN E ISMAIL QEMALIT” NË VLORË

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë çel ekspozitën e veçantë “Historia e Shqipërisë nën penën e Ismail Qemalit”, në kuadër të festave të Nëntorit. Ekspozita sjell për publikun dy artikuj autentikë të Ismail Qemalit, të botuar në revistën pariziene “Je sais tout” në vitin 1917, me titujt “Au pays des Shkiptars” dhe “L’Albanie indépendante et son premier M’bret”. Përmes këtyre botimeve, vizitorët do të njihen me mënyrën se si themeluesi i shtetit shqiptar prezantonte Shqipërinë, zakonet dhe karakterin e shqiptarëve për publikun europian. Shkrimet përmbajnë gjithashtu rrëfimin e tij mbi Shpalljen e Pavarësisë, diplomacinë europiane dhe sfidat e qeverisë së parë shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 20 deri më 27 nëntor në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë.

2. SHFAQJA/“LETRAT E SHEKSPIRIT” NË TEATRIN “SKAMPA” NË ELBASAN

Pesë tragjedi të mëdha të Shekspirit vijnë në një këndvështrim bashkëkohor në shfaqjen “Letrat e Shekspirit”, që do të ngjitet në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, nesër në orën 19:00. Përmes groteskut, absurdit, humorit dhe ironisë, vepra sjell një udhëtim teatror mes personazheve dhe historive të “Hamletit”, “Mbretit Lir”, “Makbethit”, “Jul Cezarit” dhe “Romeo e Zhuljetës”. Shfaqja luan me idenë e përballjes së Shekspirit me vetë veprat e tij, duke ndërthurur reflektimin me situatat komike.

3. KOMEDIA /“GREPI I ARTË” NË QENDRËN E FËMIJËVE NË DURRËS

“Grepi i Artë” vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës nesër, më 20 nëntor në orën 19:00. Në një botë ku të gjithë vëzhgojnë njëri-tjetrin, ambicia për pushtet dhe ruajtja e imazhit publik përplasen me sekretet personale. Përmes situatave plot surpriza, dashuri dhe ironi, shfaqja ngre pikëpyetje mbi të vërtetën dhe personazhet që mund të përfundojnë të kapur në rrjetën e intrigave të tyre.

4. LABORATORËT E FILOZOFISË PËR FËMIJË, AKTIVITETI NË KORÇË

 “Laboratorët e Filozofisë për Fëmijë” është aktiviteti që do të mbahet në Qytezën e Fëmijëve në Korçë, nesër në orën 15:00. Përmes tre laboratorëve, fëmijët do të njihen me mendimet e Sokratit, Platonit dhe Kantit, duke u mbështetur në tregimet e serisë “Platonët e Vegjël”, botuar nga Papirus.

5. TIMO MAAS E FRANCESCO MAMI NË “CHECK-OUT FESTIVAL” NË TIRANË

“Check-Out Festival” mbahet më 20 e 21 nëntor në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë.  Mbrëmjen e nesërme për të pranishmit do të vijë muzikë elektronike nën performancën, ku spikat bashkëpunimi mes DJ-ve Timo Maas dhe Francesco Mami. Dy artistët e njohur të muzikës elektronike do të sjellin një performancë të përbashkët, duke ndërthurur përvojën e Timo Maas, dy herë i nominuar për çmimin Grammy dhe i njohur për remikset e artistëve ndërkombëtarë, me tingullin karakteristik house të Francesco Mami. Ndërsa më 21 nëntor, në natën kushtuar muzikës rock do të interpretojnë grupe rock dhe alternative live, si: “Asgjë Sikur Dielli” dhe “Crossbones”.

6. MUZIKË ELEKTRONIKE NGA DJ PANDA NË “STREET BREW TIRANA”

Muzika elektronike do të jetë në qendër të një pasditeje në “Street Brew Tirana” në hapësirën “Tirana Moons” në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, nesër, nga ora 16:00 deri në 20:00,  ku për publikun do të performojë DJ Panda.

7. “LAKURIQI I NATËS” E STRAUSS RIKTHEHET NË SKENËN E TKOB-IT

“Lakuriqi i natës” (Die Fledermaus), opereta komike e Johann Strauss II vjen sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me humor, intriga dhe ritmet magjepsëse të valsit vjenez. Ajo do të ngjitet në skenë më 20 e 21 nëntor në orën 20:00.

8. “DEMOS”/ VEPRA E ARISTOFANIT, SHFAQJE NË TEATRIN E KORÇËS

“Demos”, vepra e njohur e Aristofanit vjen në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, në një interpretim bashkëkohor me regji nga Altin Basha. Komedia satirike do të interpretohet nga trupa e teatrit, sot, më 19 nëntor, në orën 19:00.

9. KONCERTI PREMIERË I ORKESTRËS FRYMORE “AFËRDITA” NË ELBASAN

Orkestra Frymore “Afërdita” vjen në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan me koncertin e saj premierë, duke sjellë një mbrëmje kushtuar muzikës dhe instrumenteve frymore. Nën dirigjimin e Antonio Pine, koncerti do të mbahet sonte, më 19 nëntor, në orën 19:00.

10. “1984”/ VEPRA E GEORGE ORËELL, SHFAQJE TE EKSPERIMENTALI

Shfaqja e ndërtuar mbi romanin e njohur të George Orëell, “1984” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ajo do të vijë edhe sonte në orën 20:00. Me regji nga Dino Mustafić dhe dramatizim nga Jeton Neziraj, ajo vjen si bashkëprodhim me Teatrin “Migjeni

11. “MEDIUMS”, SHFAQJA E MILICA VUČKOVIĆ NË TEATRIN E METROPOLIT

“Mediums” është shfaqja bazuar në romanin “Pasojat fatale të dëmtimeve sportive” (Fatal Outcome of Athletic Injuries) të autores Milica Vučković, me regji nga Tara Manić, që do të vijë në teatrin “Metropol” nesër në orën 19:00. Në qendër të veprës është Eva, një nënë e divorcuar që beson te dashuria dhe kërkon një marrëdhënie përmbushëse, por përfshihet në një raport ku sharmi gradualisht shndërrohet në manipulim dhe dhunë. Përmes një interpretimi intim dhe emocional, shfaqja eksploron varësinë emocionale, përgjegjësinë dhe kontradiktat njerëzore, duke ngritur pyetje mbi kufijtë e dashurisë dhe frikën e vetmisë