Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.DITA NDËRKOMBËTARE E MONUMENTEVE DHE SITEVE NË BERAT
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve do të shënohet të shtunën me një aktivitet në Berat. Në orën 18:30 do të çelet një ekspozitë fotografike te Porta e Pashait, ndërkohë që do të ketë edhe muzikë live nën interpretimin e Venera Lumanit dhe Lind Islamit dhe atmosferë tradicionale nga një grup popullor.
2. KONCERT INSTRUMENTAL-SIMFONIK NGA RAFAEL AGUIRRE NË TKOB
Një koncert instrumental-simfonik përmes tingujve spanjollë dhe shqiptarë do të vijë të shtunën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në orën 19:30 nën interpretimin e Rafael Aguirre, kitarist spanjoll me famë botërore. Koncerti do të vijë nën dirigjimin e maestro Sergio Alapont.
3. “PARADA E MREKULLIVE” NGA CIRKU NË AMFITEATRIN E LIQENIT
Cirku Kombëtar prezanton “Parada e mrekullive”, të shtunën më 18 prill në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Cirkut. Shfaqja do të zhvillohet në Amfiteatrin e Liqenit nga ora 10:00 deri në orën 12:00.
4.INAUGURIMI I TEATRIT TË HAPUR “MIRUSH KABASHI” TE LIQENI
Mbrëmjen e kësaj të premteje në orën 19:30, në përvjetorin e lindjes së Mirush Kabashit, teatri i hapur pranë Liqenit Artificial do të marrë zyrtarisht emrin e tij.
5. MONODRAMA PËR NËNË TEREZËN, NË POGRADEC ME JUSTINA ALIAJN
Monodrama “And’rra e Nan’Terezës – Njerëzorja hyjnore” do të shfaqet në sallën “Lasgush Poradeci” në Pogradec, këtë të premte në orën 19:00. Shfaqja me Justina Aliajn vjen nën regjinë e Gëzim Kames, ndërsa kompozitor e çelist është Rubin Kodheli.
6. MUZIKË DHOME NGA MATERA NË TIRANË, KONCERT TE KATEDRALJA
“Chamber Music Project”, një koncert me Konservatorin “ER Duni” Matera do të vijë në Tiranë në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse mbrëmjen e sotme në orën 19:30. Të pranishmit do të mund të shijojnë një udhëtim muzikor nga muzika baroke tek Beatles, nga Italia në Shqipëri. Programi muzikor, i kuruar nga pedagogët koncertistë të Konservatorit, ofron një panoramë të 200 viteve zhvillimi stilistik.
7.“MERI POPINS” RIKTHEHET PËR FËMIJËT NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Meri Popins” rikthehet në skenën e Teatrit të Kukullave me çadrën e saj fluturuese dhe çantën plot surpriza këtë të shtunë dhe të dielën në orën 11:00. Shfaqja vjen e përshtatur dhe me regji të Endri Çelës, skenografi nga Beqo Nanaj, kostumografi nga Sofi Kara, muzikë nga Sokol Marsi, koreografi nga Fatjon Sulstarova e Leonard Mitrushi.
Komente











