Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.JAVA ITALIANE, TEATRI “VIZITA” NË BUTRINT. KONCERT NË VLORË
Më 6 qershor në orën 21:00, Teatri Antik i Butrintit do të mirëpresë shfaqjen teatrore “Vizita”, me regji të Davide Iodice si pjesë e aktiviteteve të Javës Kulturore Italiane. Bashkëprodhim mes Teatro di Sardegna dhe Teatrit të Shkodrës, vepra sjell një rrëfim bashkëkohor që eksploron kujtesën, mungesën dhe lidhjet njerëzore përmes një gjuhe skenike poetike dhe intensive.
Ndërkohë, sot në orën 19:45 do të mbahet një koncert nga Mario Venuti te Marina Orikum në Vlorë, ndërsa në Teatrin e Kukullave në Tiranë, sot, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 do të mbahet një shfaqje tradicionale e Teatrit Siçilian të Kukullave, që sjell një episod nga “Orlando Innamorato”, me titull “Mashtrimi i Angelikës”.
2. “ART”, KOMEDIA PËR MIQËSINË NË TEATRIN EKSPERIMENTAL
Në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental rikthehet shfaqja “Art”, e cila do të ngjitet më 6, 7, 8 dhe 10 qershor në orën 20:00.
3. KARNAVALET ÇELIN SEZONIN TURISTIK NË QYTETIN E KORÇËS
Korça hap zyrtarisht sezonin turistik më 6 qershor me Karnavalet e Korçës, një nga festat më të dashura të qytetit. Muzika, paradat shumëngjyrëshe, kostumet kreative dhe atmosfera festive do të pushtojnë qendrën e qytetit, duke e kthyer mbrëmjen në një spektakël të madh për banorët dhe vizitorët.
4. FESTIVALI I PRANVERËS, NË TEATRIN E OPERËS DHE BALETIT
Më 6 dhe 7 qershor, në orën 21:00, Teatri i Operës dhe Baletit do të presë edicionin e radhës të Festivalit të Pranverës organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar.
5. SEZONI TURISTIK NË POGRADEC. AKTIVITETE GJATË GJITHË DITËS
Më 6 qershor, Pogradeci do të hapë zyrtarisht sezonin turistik 2026 me një program të pasur aktivitetesh. Dita nis me fluturime turistike mbi liqen me hidroplan, vijon me panaire artizanale e kulinare, aktivitete sportive, teatër kukullash dhe koncerte festive. Mbrëmja do të kulmojë me spektaklin “Miss Shqipëria 2026” dhe koncertin me artistë të njohur në Odeonin e qytetit.
6.“PËRTEJ HORIZONTIT”, DRAMA E EUGENE O’NEILL NË ARTURBINA
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës sjell në Tiranë shfaqjen “Përtej Horizontit”, një nga veprat më të njohura të dramaturgut amerikan Eugene O’Neill, fituese e çmimit Pulitzer. Me regji të Silvio Goskovës dhe pjesëmarrjen e aktorit Niko Kanxheri, shfaqja do të jepet më 6 dhe 7 qershor, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Eksperimental (salla 400 e ArTurbinës).
7.CAPREOLUS DUO NË “ALBANIA INTERNATIONAL GUITAR FESTIVAL”
Në kuadër të edicionit të 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës në Shqipëri (Albania International Guitar Festival), publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e Capreolus Duo, formuar nga artistët austriakë Verena Merstallinger dhe Julian Richter. Pas koncertit në Tiranë, dyshja do të interpretojë më 6 qershor, ora 19:30, në Kishën e të Shelbuemit në Rubik, duke sjellë një repertor që përfshin muzikë klasike, ritme braziliane dhe krijime bashkëkohore.
8. “TINGULLI I LIRËS ANTIKE”/ ARTISTËT GREKË, KONCERT NË HIMARË
Shëtitorja e Himarës do të mirëpresë më 7 qershor, nga ora 20:00 deri në 21:00, koncertin “Tingulli i Lirës Antike”. Artistët Nikolaos Xanthoulis, Sophia Karakouta dhe Evanghelia Kopsalidou do të interpretojnë me lirën e lashtë greke, duke sjellë një udhëtim muzikor frymëzuar nga mitet dhe traditat e antikitetit.
9. “CIRCUS SHOW”, SHFAQJE PËR FËMIJËT TE TEATRI I KUKULLAVE
Më 6 qershor, në orën 17:00, Teatri i Kukullave do të presë shfaqjen “Circus Show” nga Cirku Kombëtar. Numrat akrobatikë, personazhet argëtues dhe surprizat skenike premtojnë një pasdite plot emocion për fëmijët dhe familjet.
10. “MACJA QË BËN PAPUÇE” NË SKENËN E TEATRIT TË KUKULLAVE
Teatri i Kukullave sjell shfaqjen “Macja që bën papuçe”, e cila do të luhet më 6 dhe 7 qershor në oraret 10:30 dhe 11:30. Një përrallë e dashur për fëmijët, e sjellë në skenë me humor, muzikë dhe personazhe plot ngjyra.
Komente











