Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KINEMAJA E RE ITALIANE, NJË JAVË SHFAQJE FILMASH NË SHQIPËRI

Kinemaja e re italiane mbërrin sërish në Shqipëri, duke sjellë disa nga prodhimet kinematografike të vendit fqinj gjatë këtyre viteve të fundit. Filmat do të shfaqen në Tiranë në Kinema Millennium nga 19 deri më 22 prill, në Prishtinë në Kino Armata nga 21 deri më 23 prill, në Vlorë në Qendrën Kulturore më 20 dhe 23 prill dhe në Shkodër në Kinema Republica më 24 dhe 25 prill, ndërsa hyrja për publikun është e lirë. Filmi i parë që do të shfaqet është “La Grazia” nga Paolo Sorrentino në orën 19:00 në kinema “Millenium”.

2. KONCERT GALA ME VEPRAT E VERDIT DHE PUÇINIT NË SKENËN E TKOB

“Verdi & Puçini Night Gala” është koncerti nga Orkestra e RTSH-së, që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, të dielën në orën 19:00. Me solistët: Ivana Hoxha (mezzo-soprano), Dorina Selimaj (soprano), Bledar Domi (bass) dhe Amadi Lagha (tenor) mund të përjetoni magjinë e kryeveprave të Verdit dhe Puçinit në një koncert gala plot emocion. Koncertin vjen nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja.

3. KONCERT INSTRUMENTAL-SIMFONIK NGA RAFAEL AGUIRRE NË TKOB

Një koncert instrumental-simfonik përmes tingujve spanjollë dhe shqiptarë do të vijë këtë të shtunë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në orën 19:30 nën interpretimin e Rafael Aguirre, kitarist spanjoll me famë botërore. Koncerti do të vijë nën dirigjimin e maestro Sergio Alapont.

4. FILMI PËR SERGEI PARAJANOV NË KINO PIRAMIDA NË TIRANË

“Parajanov: The Last Collage” është filmi që do të shfaqet te “Kino Piramida” në Piramidën e Tiranës, të dielën në orën 16:00. Filmi është një reflektim poetik dhe vizual mbi një nga figurat më të veçanta të historisë së kinemasë, Sergei Parajanov dhe eksploron universin e tij artistik përmes një gjuhe që ndërthur kolazhin, arkivin dhe kujtesën.

5. “PORTRET” NGA RAFAIL DEMBO TE “GURI MADHI” NË KORÇË

Në 100-vjetorin e lindjes së piktorit korçar Rafail Dembo, në galerinë e arteve “Guri Madhi” në Korçë, të dielën në orën 19:00 çelet ekspozita e tij “Portret”, një homazh për gjurmët artistike që ai la në kulturën tonë.

6.“MERI POPINS” RIKTHEHET PËR FËMIJËT NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Meri Popins” rikthehet në skenën e Teatrit të Kukullave me çadrën e saj fluturuese. Shfaqja do të vijë edhe të dielën në orën 11:00. Ajo vjen e përshtatur dhe me regji të Endri Çelës, skenografi nga Beqo Nanaj, kostumografi nga Sofi Kara, muzikë nga Sokol Marsi, koreografi nga Fatjon Sulstarova e Leonard Mitrushi.