Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit
1.90-VJETORI I ISMAIL KADARESË, AKTIVITETE NË TIRANË E DURRËS
Për përvjetorin e 90-të të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare nesër do të organizohen një sërë aktivitetesh. Në orën 11:00, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të çelet ekspozita me thuajse të gjitha letërkëmbimet e Kadaresë me personalitete të botës para 1990-ës si edhe objekte të muzeut “Kadare”. Paralelisht, në orën 11:00, një ekspozitë do të ketë edhe në Bibliotekën Kombëtare dhe në Akademinë e Shkencave do të promovohet vepra me tre volume “Kadareja në kritikën botërore”. Në Qendrën Muzeore Durrës në Torrën Veneciane, në orën 10:00 do të mbahet një takim letrar dedikuar shkrimtarit, ndërsa në orën 18:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri do të promovohet albumi “100 Imazhe: Vepra e Kadaresë në artet figurative”.
2.“ANNE FRANK. JËTË PARALELE” NË DITËN E KUJTESËS NË TIRANË
Me rastin e Ditës së Kujtesës në mjediset e Institutit Italian të Kulturës do prezantohet sot në orën 18:00 filmi dokumentar “Anne Frank. Jetë paralele” nga Sabina Fedeli dhe Anna Migotto. Dokumentari imagjinon se si do të kishte qenë jeta e Anne Frank nëse do t’i kishte mbijetuar Aushvicit dhe Bergen-Belsenit, duke eksploruar dëshirat, shpresat dhe reflektimet e saj mbi nazizmin dhe racizmin bashkëkohor.
3. DY NETË MAGJIKE NË SKENËN E TKOB-IT ME NXËNËS TË BALETIT
Shkolla e Baletit zhvillon dy shfaqjeve artistike në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Sonte në orën 19:00 do të mbahet Mbrëmje Gala, ndërsa nesër, më 28 janar në orën 19:00, “Liza në Botën e Çudirave”.
4. EKSPOZITA NË TIRANË E DURRËS NË JAVËN KULTURORE ZVICERIANE
“Mercurius” është ekspozita nga Kristian Zara, që do të çelet sot në orën 18:00 në Elbasan në kuadër të Javës Kulturore Zviceriane. Ndërkohë, e çelur është edhe një ekspozitë multimediale mbi largimin, kujtesën dhe idenë e shtëpisë në “Minus Art Space” në Tiranë
5. PARAJA RRËFEN: 100 VJET JETË DHE NGJARJE, BANKA E SHQIPËRISË
“Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë ” është ekspozita historike e organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës për kremtimin e dy jubileve: 100-vjetorin e themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe 100-vjetorin e hedhjes në qarkullim të monedhës sonë të parë kombëtare . Ekspozita do të qëndrojë e çelur në Muzeun e Bankës deri më 20 korrik dhe përmes objekteve, dokumenteve, fotografive ndërthur historinë e bankës qendrore dhe të monedhës shqiptare me ngjarjet politike, zhvillimet ekonomike e gjeopolitike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë.
6.“ALTERAZIONI VIDEO”, VIJON EKSPOZITA NË MUZEUN “MARUBI”
Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Olbania” nga kolektivi artistik ndërkombëtar “Alterazioni Video”, një nga zërat më të veçantë të artit bashkëkohor që ndërthur imazhin, arkitekturën, filmin dhe kërkimin kritik.
7. “IMPRESIONE URBANE” NGA NJË GRUP ARKITEKTËSH NË DURRËS
Ekspozita “Impresione urbane” nga arkitektët Maksim Mitrojorgji, Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Nikolet Vasia” në Durrës edhe gjatë këtyre ditëve të janarit.
Komente












