Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.SHFAQJET NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË KËRCIMIT NË TIRANË
Në kuadër të “International Dance Festival of Tirana”, sonte në orën 20:00, në skenën e TKOB-së do të prezantohen dy vepra të kërcimit bashkëkohor, “Unseen” dhe “Boléro”. Me koreografi nga Andonis Foniadakis, veprat eksplorojnë përkatësisht vetminë dhe nevojën njerëzore për t’u parë e kuptuar, si dhe energjinë dhe forcën e lëvizjes kolektive nën ritmet e Maurice Ravelit. Ndërkohë, të shtunë dhe të dielën në mjedise të jashtme të qytetit do të prezantohet “Rodeo & Grenade”.
2. PERFORMANCË DHE PUNËTORI/ “REDEFINE” NGA NØELLE NË VILËN 31
Artistja uellsiano-ukrainase Nøelle do të prezantojë më 10 tetor, në “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë, performancën gjithëpërfshirëse digjitale live “Redefine”. Aktiviteti do të paraprihet nga një Workshop me artisten, nga ora 11:00 deri në 12:30, ndërsa performanca do të zhvillohet nga ora 18:00 deri në 19:00. “Redefine” ndërthur audion hapësinore, realitetin e shtuar (AR) dhe teknologjinë që reagon ndaj lëvizjes, duke krijuar një përvojë audiovizuale ku tingulli, trupi dhe teknologjia bashkëveprojnë. Përmes ëorkshop-it, publiku do të njihet nga afër me teknikat dhe qasjet krijuese që qëndrojnë pas kësaj performance.
3. MUZIKË/“T'ROCKS FESTIVAL” NË PARKUN OLIMPIK “FETI BOROVA”
Edicioni i katërt i “T'Rocks Festival” (Tirana Rock Festival) do të mbahet më 10 tetor, në orën 19:00, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë. Në skenë do të ngjiten artistë dhe grupe të njohura të muzikës rock, mes tyre Aleksandër Gjoka, Renis Gjoka, NoApology dhe “Rusty Halo Band”. Festivali synon të sjellë një mbrëmje me energjinë e muzikës rock, duke bashkuar artistë të skenës shqiptare dhe publikun e këtij zhanri.
4. FOLKLOR/ÇELET EDICIONI I 32-TË I FESTIVALIT “ODA DIBRANE”
Edicioni i 32-të i festivalit “Oda Dibrane” do të zhvillohet sot dhe nesër në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, duke mbledhur artistë dhe grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Festivali i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të folklorit e traditës shqiptare, përmes këngëve popullore, valleve tradicionale dhe muzikës folklorike. Aktiviteti sjell në vëmendje trashëgiminë kulturore dhe rolin e saj në përcjelljen e identitetit dhe zakoneve nga një brez te tjetri.
5.GRUPI “AKULLTHYESIT”, KONCERT ROCK NË TEATRIN “SKAMPA”
Grupi “Akullthyesit”, i themeluar në vitet ’90 dhe një prej formacioneve që kontribuuan në fillesat dhe zhvillimin e rock-ut shqiptar, rikthehet në skenë me një koncert në Elbasan, sonte, në orën 19:00, në Teatrin “Skampa”, duke sjellë një mbrëmje që ndërthur nostalgjinë e viteve ’90 me energjinë e muzikës rock.
6. “MALLAKASTRA E FSHEHUR”, UDHËTIM MES TRADITËS DHE SHIJEVE
Më 10 tetor, nga ora 14:00 deri në 18:30, në Klos të Mallakastrës do të zhvillohet aktiviteti “Mallakastra e Fshehur”, një nismë që fton vizitorët të zbulojnë trashëgiminë historike, kulturore dhe gastronomike të zonës. Programi përfshin vizita në qytetin antik të Nikajës, njohjen me shtëpitë e vjetra të fshatit, prodhuesit dhe artizanët vendas, si dhe promovimin e vajit të ullirit të varietetit Kalinjot. Aktiviteti do të shoqërohet edhe me muzikë live, ndërsa hyrja do të jetë falas për të gjitha moshat. Nisma është pjesë e projektit “Bylis”, në bashkëpunim me Bashkinë Mallakastër.
7. SHFAQJA/“EVERY BRILLIANT THING”, PREMIERË NË “TULLA CULTURE”
“Every Brilliant Thing” (“Gjitha gjërat e mrekullueshme”) është shfaqja që çel sezonin e ri kulturor në Qendrën Kulturore “Tulla Culture” në Tiranë. Vepra e Duncan Macmillan dhe Jonny Donahoe, me regji të Fatos Berishës dhe interpretim të Armond Morinës do të vijë edhe sonte dhe nesër në orën 20:00. Në të ndërthuren humori dhe emocionet në një histori mbi jetën, kujtesën dhe arsyet për të vazhduar përpara.
8. “MACJA QË BËN PAPUÇE”, SHFAQJE NË TEATRIN E KUKULLAVE
Teatri i Kukullave në Tiranë vijon programin për publikun e vogël me shfaqjen “Macja që bën papuçe”, e cila do të prezantohet më 10 dhe 11 tetor, në oraret 10:30 dhe 11:30.
9. “ZNJ. PLASTIKA”, CIRK PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Znj. Plastika” është premiera e re e Teatrit të Kukullave në Tiranë, një spektakël për fëmijë që ndërthur akrobacinë, magjinë, humorin dhe ngjyrat. Historia sjell përballjen e Plastikes me personazhet e Natyrës, Ujit, Akullit, Reve dhe Ngjyrave, të cilat bashkohen për të mbrojtur botën ku jetojnë. Shfaqja do të vijojë edhe sonte, nesër dhe të dielën në orën 17:00.












Komente
Komento