1. SPEKTAKLI “MREKULLITË E ARBËRISË” NË SKENËN E TKOBAP-SË

Spektakli “Mrekullitë e Arbërisë” do të rikthehet nesër në 20:00, në skenën e Teatrit të Operës. Shfaqja do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe “Gurra e Kurbinit”. Në skenë do të ndërthuren tingujt e lahutës, polifonia, K’cimi i Tropojës, xhubleta dhe tradita të tjera shqiptare. Të ftuar do të jenë Vendim Kapaj në fyell, Pjetër Matusha në lahutë dhe Grupi i Çiftelive.

2. MBAHET “KUÇOVA INTERNATIONAL INDEPENDENT FILM FESTIVAL”

Festivali i parë Ndërkombëtar i Filmit të Pavarur në Kuçovë do të zhvillohet nga 13 deri më 18 tetor. Sipas organizatorëve, në festival kanë aplikuar mbi 3.070 filma nga më shumë se 120 shtete, ndërsa 80-100 prej tyre pritet të përzgjidhen për fazën finale. Përgjatë gjashtë ditëve, qyteti do të mirëpresë prodhime kinematografike dhe histori nga vende të ndryshme të botës.

3. MËSIMET” NGA IAN MCEWAN PREZANTOHET NË LIBRARINË “BABEL”

Në kuadër të Javës Kulturore Britaniko-Ukrainase sonte në orën 19:00, në Librarinë “Babel” në Tiranë do të prezantohet libri “Mësimet” nga shkrimtari britanik Ian McEwan. Në mbrëmje do të jetë i pranishëm ambasadori  britanik në Tiranë dhe shkrimtari Preç Zogaj, ndërsa programi do të përfshijë interpretim poezish nga Ukraina dhe muzikë live nga Altin Gjoni. Aktiviteti do të moderohet nga Arlinda Dudaj dhe do të sjellë një ndërthurje të letërsisë, poezisë dhe muzikës.

4. ART PAMOR/EKSPOZITA “2 BOTË KOMIKE KRONIKE” NGA ENDRI BEQO

“2 Botë Komike Kronike” nga artisti Endri Beqo është ekspozita që do të çelet sonte e do të qëndrojë e hapur deri më 17 tetor në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Aktiviteti do të shoqërohet me një prezantim të animacionit, duke sjellë për publikun një ndërthurje të artit pamor dhe krijimtarisë audiovizuale.

5. 115-VJETORI I MIGJENIT, AKTIVITETE NË SHKODËR E NË TIRANË

Nesër në orën 10:00, në hollin e Teatrit “Migjeni” në Shkodër do të zhvillohet një aktivitet artistik kushtuar 115-vjetorit të lindjes së poetit Migjeni. Po nesër, në orën 18:00 në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare organizohet aktiviteti “Scriptamanent – Një histori në kujtesë në 115-vjetorin e lindjes së Migjenit”, një bashkëbisedim me studiuesin Kastriot Gjika dhe mbesën e poetit, Angjelina Ceka.

6. “SHPËTIMI I ENIT - ARRATISJA NGA HOLOKAUSTI” NË TIRANË

Dokumentari “Shpëtimi i Enit – Arratisja nga Holokausti”, me autor Bernd Borchardt, do të shfaqet nesër në orën 18:30, në “Europe House” në Tiranë. Filmi rrëfen historinë e Eni Altaratz, e cila në vitin 1943 u arratis nga Shkupi me familjen e saj hebreje, përmes Kosovës, drejt Shqipërisë. Familja arriti t'i mbijetonte Holokaustit falë ndihmës së njerëzve që u ofruan mbrojtje gjatë arratisjes dhe qëndrimit në Shqipëri. Përmes kujtimeve personale, dokumenteve historike dhe dëshmive të pasardhësve të familjeve që i strehuan, dokumentari sjell në vëmendje solidaritetin dhe humanizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Filmi do të shfaqet me titra në anglisht, ndërsa autori do të jetë i pranishëm për ta prezantuar.

7. 95-VJETORI I AGOLLIT, EKSPOZOHEN DORËSHKRIMET ORIGJINALE

Në kuadër të 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, nesër në orën 18:00 në Shtëpinë-Studio Agolli, publikut do t'i prezantohen për herë të parë dorëshkrime origjinale të disa prej veprave të tij. Ekspozita do të përfshijë dorëshkrimet e romaneve “Trëndafili në gotë”, “Arka e djallit” dhe “Dështaku”, blloqe me poezi, tregime, përkthime, një dramë të ndaluar dhe botime të para të veprave të autorit. Krahas materialeve letrare, do të ekspozohen edhe stilografë, shishe boje dhe stilolapsa të koleksionuar nga shkrimtari.

8.PROPAGANDË DHE SHKRIMTARËT AMERIKANO-LATINË 1945–1991

Më 13 tetor, në orën 17:30, në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër do të hapet ekspozita “Letërsi, propagandë dhe shkrimtarët amerikano-latinë, 1945-1991”. Përmes botimeve, dokumenteve, periodikëve dhe materialeve arkivore, ekspozita trajton praninë e letërsisë amerikano-latine në Shqipërinë komuniste dhe marrëdhënien mes letërsisë, përkthimit dhe politikave ideologjike. Në fokus do të jenë autorë si Jorge Amado dhe Pablo Neruda, si dhe shkëmbimet kulturore me vende si Kuba.

9. “FESTO N’MIRDITË”/ PANAIR, ARTIZANAT DHE MUZIKË NË RRËSHEN

Nesër në sheshin “Abat Doçi” në Rrëshen, prej orës 9:00 deri në orën 18:00 do të zhvillohet aktiviteti festiv “Festo N’Mirditë. Programi do të përfshijë panair me produkte lokale, punëtori dhe koncert festiv me artistë vendas e të ftuar.

10. “BREZNITË E FOLKLORIT” BËN BASHKË FËMIJË DHE GJYSHËR

Nesër në orën 09:30, pranë Liqenit Artificial të Tiranës do të zhvillohet veprimtaria “Breznitë e Folklorit”, kushtuar fëmijëve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Përmes përrallave, tregimeve popullore dhe kujtimeve të rrëfyera nga gjyshërit, fëmijët do të njihen me traditat dhe urtësinë e brezave.

11. “KOSMOS MUSIC FESTIVAL – JEHONË” RIKTHEHET NË TIRANË

Festivali “Kosmos Music Festival – Jehonë” vjen në Tiranë nga 12 deri më 17 tetor. Pjesëmarrës do të jenë artistëve të ndryshëm dhe të ftuar ndërkombëtarë.

12. MUZIKË/“TUKIÇI I MADH”, KONCERT NË TEATRIN “MIGJENI” PËR 100-VJETORIN E LINDJES

Sonte në orën 19:00, në Teatrin “Migjeni” në Shkodër do të mbahet koncerti “Tukiçi i madh”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së babait të David dhe Genc Tukiçit. Aktiviteti do të sjellë një mbrëmje muzikore përkujtimore, duke bashkuar artin dhe kujtesën në një homazh të veçantë. Në koncert do të marrë pjesë edhe baritoni shqiptar Gëzim Myshketa.

13. KËRCIM/“MAGNITUDE” NGA ANNABEL KOELE NË FESTIVALIN “ALBANIA DANCE MEETING”

Performanca bashkëkohore “Magnitude”, me krijim dhe interpretim nga artistja Annabel Koele, do të prezantohet nesër në orën 20:00, në skenën “Black Box” të Universitetit të Arteve në Tiranë, në kuadër të festivalit “Albania Dance Meeting”.