Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.MUZIKA E GEORGE ENESCU-T, KONCERT NË TEATRIN E OPERËS
“Muzika e George Enescu-t” është koncerti që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 dhe që do të çojë publikun drejt shpirtit të Rumanisë. Kompozimet e George Enescu-t, “fenomenit më të madh muzikor që nga Mozarti”, siç e quante Pablo Casals, janë një urë mes folklorit rumun dhe elegancës së muzikës europiane, . Nga Aubade dhe Trois Mélodies te Cantabile et presto dhe Sept Chansons de Clément Marot, mbrëmja vjen si një udhëtim poetik në universin e një gjeniu që frymëzoi botën. Në koncert do të interpretojnë sopranot Sonila Baboçi dhe Eriona Gjyzeli, si dhe ansambli i instrumentistëve: Enalda Gjoni, Elton Tola, Xhanina Çela, Mario Guralumi, Herta Cane, Laura Lila, Daria Antonia Dragoicea.
2. “NJË MARTESË...NJË DIVORC...NJË FUNERAL”, SHFAQJE NË “BYLIS”
Komedia “Një martesë, një divorc...një funeral” shfaqet sot dhe nesër në orën 18:00 te Teatri “Bylis” në Fier. Me autor: Joan Greening dhe regji nga Rovena Lule në të interpretojnë aktoret Olta Daku, Zamira Kita, Egla Ceno dhe Paola Kodra.
3.LUANUSHI I FRIKËSUAR’, PREMIERA PËR FËMIJË TE TKEKS
“Luanushi i frikësuar” është shfaqja për fëmijë me regji nga Endri Çela, që po vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Ajo do të shfaqet nesër dhe deri në 9 nëntor në orën 10:30.
4. “SI TA DONI”, NESËR SHFAQJE NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR
“Si ta doni” është shfaqja teatrore nga William Shakespeare që do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00 me regji nga John Blondell.
5. BISEDË ME ROLAND SEJKON DHE KALTRINA KRASNIQIN TE VILA 31
Roland Sejko e Kaltrina Krasniqi do të jenë autorët që do të marrin pjesë në episodin e katërt të “Autorët takojnë autorët” te Vila 31x Art Explora, mbrëmjen e sotme në orën 20:00. Pavarësisht se veprat e tyre dallojnë në zhanër, tematikë dhe qasje filmike, të dy regjisorët ndajnë të njëjtin përkushtim për të eksploruar se si kinemaja zbulon dhe rishpik dimensionin e saj politik. Biseda mes tyre na fton të reflektojmë mbi përgjegjësinë e përbashkët të kineastëve bashkëkohorë shqipfolës lidhur me të shkuarën dhe të tashmen.
6. DYLA, EKSPOZITË MULTIMEDIALE TE QENDRA KULTURORE “TULLA”
“Rezonanca e fytyrës” nga Bekim Dyla është ekspozita që vijon të qëndrojë e hapur në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë. Ekspozita multimediale përfshin piktura, vizatime dhe tinguj.
7. “PRANI”, EKSPOZITË PERSONALE E FOTOGRAFIT ERGYS ZHABJAKU
“Prani” është ekspozita personale nga Ergys Zhabjaku, që do të çelet te Piramida sot në orën 18:30.
Komente












