Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.TIRANA INTERNATIONAL FILM FESTIVAL (TIFF) NË EDICIONIN 24
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) vjen në edicionin e tij të 24-të nga sonte e deri më 27 shtator. Eventi sjell një program të pasur filmash shqiptarë dhe ndërkombëtarë, masterclass-e, ekspozita, ëorkshop-e dhe aktivitete të industrisë. Tema e këtij viti është ‘Humanography’ - Çfarë do të thotë të jesh njeri sot?
2. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I KUKULLAVE PËR PESË DITË NË TIRANË
Festivali Ndërkombëtar i Kukullave do të mbahet në Teatrin e Kukullave në Tiranë prej ditës së sotme deri më 24 shtator dhe mirëpret artistë dhe trupa teatrore nga vende të ndryshme të botës.
3. EKSPOZITA FOTOGRAFIKE “ITALIA QË ËNDËRRONIM” TE “MILLENIUM”
Ekspozita fotografike “Italia që ëndërronim” do të çelet sonte në kinema “Millennium” në Tiranë dhe do të qëndrojë hapur deri më 27 shtator. Kuruar nga Brunella Garavini dhe Elton Koritari dhe e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada e Italisë, ekspozita sjell një udhëtim përmes imazheve të kinemasë italiane të shekullit XX (nga Neorealizmi te Fellini), duke evokuar kinemanë dhe televizionin si dritare të ëndrrave për breza të tërë shqiptarësh.
4. JAVA KULTURORE KINEZE, AKTIVITETE NË TIRANË DHE NË VLORË
Një program i larmishëm që përfshin jazz, muzikë tradicionale, art kukullash, letërsi dhe sport, duke lidhur traditën shekullore kineze me artin bashkëkohor dhe krijuar ura të reja komunikimi do të vijë në Javën Kulturore Kineze që do të çelet nesër për të vijuar deri më 25 shtator me aktivitete në Tiranë dhe në Vlorë.
5. EKSPOZITA “WANDERLUST” NGA BASHKIM AHMETI IZANO TE “GOCAT”
“Wanderlust” nga Bashkim Ahmeti Izano është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Gocat” deri më 18 tetor te Piramida në Tiranë. Kuruar nga Alkan Nallbani, ekspozita transformon legjendat, figurat historike dhe kujtesën kolektive përmes një praktike unike artistike që lëviz mes ëndrrës dhe realitetit.
6. EKSPOZITA “PARADIZ. ECONOMIES OF SAND” NGA BORA BABOÇI
“Paradiz. Economies of Sand” është ekspozita nga Bora Baboçi që vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Bregdetit në Radhimë të Vlorës. Ekspozita është një projekt kërkimor dhe artistik që niset nga materialet arkivore të ekspeditave të bregdetit shqiptar në vitet '80, duke përdorur rërën si material dhe infrastrukturë për të analizuar ekonomitë dhe kufijtë e territorit.
7. EKSPOZITA/ “SHËN NËNË TEREZA”, 30 FOTOGRAFITË NË COD
“Shën Nënë Tereza - Një trashëgimi dashurie, dhembshurie dhe humanizmi” është ekspozita fotografike, që vijon të qëndrojë e hapur Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë (COD). 30 fotografitë e ekspozuara dokumentojnë momente nga vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri, si edhe nga ceremonia e funeralit të saj në Indi.
8. EDICIONI I-RË I “DYRRACHIUM INTERNATIONAL THEATER FESTIVAL”
Në Durrës vijon të mbahet deri më 25 shtator edicioni i parë i teatrit ndërkombëtar “Dyrrachium International Theater Festival”. Artistë, regjisorë dhe trupa teatrore nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania janë pjesë e festivalit.
Komente
Komento