Falsifikimi i një certifikate që vërtetonte se kishte kryer vaksinën e Covid-19 mund t’i kushtojë një dënim prej 5 vitesh burg Granit Xhakës.
Në fillim të tetorit, kapiteni shqiptar i Zvicrës do të merret në pyetje lidhur me ngjarjen e zbuluar para 3 vitesh.
Ai ka pranuar akuzën dhe është shprehur se ndihej shumë i pasigurt asokohe, ndaj siguroi vërtetimin. Sot shpreh pendesë për veprimin e tij dhe gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me autoritetet.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë arsye, dua të shprehem personalisht. Në lidhje me vaksinimin kundër Covid-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i ndikuar nga frika dhe pasiguria. Në këtë gjendje të trazuar emocionale, unë sigurova një vërtetim vaksinimi, në vend që të sqaroja pyetjet e mia të hapura në rrugën e parashikuar. Sot e kuptoj qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte një gabim. Më vjen keq për këtë. Unë marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm për zbardhjen e plotë të fakteve dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet përgjegjëse”, u shpreh Xhaka.
Xhaka nuk do të jetë pjesë e Zvicrës në ndeshjet e Ligës së Kombeve.










Komente
Komento