Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.OPERA E BALET, NJË MBRËMJE E VEÇANTË ARTISTIKE NË TKOB
Një mbrëmje dedikuar operës dhe baletit bashkon në skenën e TKOBAP-së solistët lirikë, solistët dhe Trupën e Baletit, si edhe Orkestrën Simfonike. Një përvojë skenike e ndërtuar si një mozaik artistik, ku ariet dhe duetet më të njohura të repertorit operistik botëror ndërthuren natyrshëm me ekstrakte baleti nga krijime klasike dhe bashkëkohore do të vijë mbrëmjen e sotme në orën 19:00. Programi përfshin vepra nga kompozitorë të mëdhenj të operës si Giacomo Puçini, Giuseppe Verdi, Wolfgang Amadeus Mozart, Gaetano Donizetti, Umberto Giordano, Pietro Mascagni dhe Franz Lehár, si edhe fragmente koreografike që sjellin në skenë një udhëtim estetik nga baleti klasik drejt gjuhës bashkëkohore të lëvizjes.
2. “CIRCUS SHOW”, SHFAQJA E CIRKUT NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Circus show” është shfaqja e Cirkut Kombëtar, që do të vijë sot dhe nesër, më 17 e 18 janar, në orën 17:00 në sallën e Teatrit të Kukullave.
3. “HAMLET”, VEPRA E SHEKSPIRIT RIVJEN NË SKENËN E “METROPOL”
“Hamlet” një prej veprave më të njohura të Shekspirit rivjen në Teatrin Metropol mbrëmjen e sotme në orën 19:00. Me regji nga Jonida Beqo, interpretojnë: Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj etj.
4. “I HUAJI: NGA THELLËSIA E SË ARDHMES SIME” TE EKSPERIMENTALI
"I huaji: nga thellësia e së ardhmes sime”, përshtatur dhe dramatizuar nga Jonathan Bertolai, bazuar në romanin “I huaji” të Albert Camus rivjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës, edhe mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00.
5. ‘24 ORË NGA JETA E NJË VOTUESI’, KOMEDIA PREMIERË NË TK
“24 orë nga jeta e një votuesi” është komedia satirë, që do të vijojë të shfaqet edhe sot dhe nesër në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Me regjinë e Driada Dervishit dhe muzikën e Aulon Naçit, interpretojnë Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj.
6. “GRUAJA E BURRIT TIM” RIVJEN NË SKENËN E TEATRIT “SKAMPA”
Komedia “Gruaja e burrit tim”, një produksion i teatrit shëtitës “Çajupi”, me regji nga Kiço Londo do të vijojë të shfaqet edhe sot në orën 18:00 në teatrin “Skampa” në Elbasan.
7. “HIRUSHJA”, SHFAQJE PLOT HUMOR E IRONI NË TEARIN E KUKULLAVE
“Hirushja”, një nga përrallat më të dashura, do të vijë edhe nesër në një shfaqje plot humor dhe ironi në Teatrin e Kukullave në oraret 10:30 dhe 11:30.
8. “UDHËTIMI I MAGJISHËM I ZEMRËS” ÇON LIZËN TE “METROPOL”-I
“Udhëtimi i magjishëm i zemrës” (Liza në botën e marrëzisë) është shfaqja për fëmijë që do të vijë nesër në orën 11:00 në teatrin e Metropolit në Tiranë.
9. “GRUFFALO” RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL
“Gruffalo” është shfaqja për fëmijë me regji e koreografi nga Mariel Brahimllari, që do të vijë në Teatrin Kombëtar Eksperimental pranë ArTurbinës nesër në orën 10:30.
Komente












