Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vend.

1.“FUNDJAVA MAGJIKE” NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL

“Fundjava magjike” është shfaqja që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë më 16 dhe 17 shtator në orën 10:30. Me tekst dhe regji nga Kleard Gërmenji në të interpretojnë Adriana Tolka, Klodian Çelmeta, Fabiana Proi dhe Shandi Ismailaj.

2. “BALKAN FILM FOOD FESTIVAL”, TRIBUT MILKANIT E ANAGNOSTIT

“Balkan Film Food Festival” rikthehet në Pogradec në edicionin e tij të 15-të. Këtë vit ai vjen si tribut në nderim të dy regjisorëve të njohur Piro Milkani e Dhimitër Anaganosti, të ndarë nga jeta pak kohë më parë. Festivali do të çelet mbrëmjen e 16 shtatorit në orën 20:00 në sheshin kryesor të qytetit.

3.“10 VJET MARTESË” RIKTHEHET TE TEATRI I KUKULLAVE

Komedia “10 vjet Martesë” me aktorët Andia Xhunga e Gentian Zenelaj rikthehet për publikun. Ajo do të shfaqet më 15, 16, 17 dhe 18 shtator në orën 20:00 në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë.

4. “PEZA N’FEST”, PËRKUJTIM, ARGËTIM, MUZIKË E AKTIVITETE

“Peza n’Fest” do të mbahet më 16 shtator siç tashmë është bërë traditë prej vitesh. Për të pranishmit ofrohen një sërë veprimtarish përkujtimore dhe festive të organizuara me rastin e 83-vjetorit të Mbledhjes së Pezës. Aktivitetet do të nisin në orët e para të mëngjesit me ceremoninë zyrtare përkujtimore në memorialin e Pezës, në nderim të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Programi do të vijojë gjatë gjithë ditës me lojëra tradicionale, valle popullore, koncerte, shfaqje teatrale dhe aktivitete të shumta kulturore e artistike. Mbrëmja do të kulmojë me një koncert festiv nga artistë të njohur shqiptarë, duke e kthyer Pezën në një skenë të madhe të kulturës, trashëgimisë dhe gëzimit të përbashkët.