Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“PHILHARMONIX” VJEN NË TIRANË ME NJË KONCERT EKSKLUZIV
Një nga formacionet më të veçanta të skenës ndërkombëtare, “Philharmonix”, i njohur si “The Vienna Berlin Music Club”, me solistët e Filarmonisë së Berlinit dhe Vjenës, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nesër në orën 20:00. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje ku ndërthuren mjeshtëria klasike dhe energjia moderne e performancës live.
2. TENORI ME FAMË BOTËRORE RAMË LAHAJ, KONCERT NË SHKODËR
Shkodra do të jetë mikpritëse e tenorit me famë botërore Ramë Lahaj, në koncertin “Ramë Lahaj & Friends në Shkodër”, nesër në orën 20:00 në sheshin qendror të Shirokës. Krahas Lahajt do të performojnë edhe sopranoja Nino Machaidze dhe basi Dario Russo. Koncerti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Shkodrës nën dirigjimin e Elda Laros.
3. HOMAZH PËR LUKË KAÇAJN NË 100-VJETOR, KONCERT NË TKOB
Një mbrëmje e veçantë kushtuar artistit të madh të operës shqiptare, Lukë Kaçaj me rastin e 100-vjetorit të lindjes do të vijë sot në orën 20:00 skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Aktiviteti sjell kujtime, interpretime muzikore dhe homazhe për një nga figurat më të rëndësishme të artit lirik shqiptar, i njohur si “Shaljapini shqiptar”.
4. KOLONJA MIRËPRET FESTIVALIN KOMBËTAR TË SAZEVE POPULLORE
Më 20 dhe 21 qershor në orën 19:00, në Kolonjë zhvillohet edicioni i XIV i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Sazeve Popullore. Për dy netë me radhë do të prezantohen tingujt karakteristikë të muzikës tradicionale shqiptare, duke sjellë interpretimet e grupeve folklorike dhe formacioneve të njohura të sazeve.
5. “SPIRIT OF BALKAN”, DY DITË FESTË E GRUPE ARTISTIKE NË KORÇË
Korça bëhet qendra e kulturës ballkanike sot dhe nesër me festivalin “Spirit of Balkan”. Për dy ditë, grupe artistike nga vende të ndryshme të rajonit do të sjellin muzikë, valle dhe tradita popullore, duke krijuar një atmosferë festive.
6. NIS SEZONI TURISTIK NË LUMIN E SHALËS, AKTIVITETE NË NATYRË
Më 20 dhe 21 qershor organizohet Festa e Hapjes së Sezonit Turistik në Lumin e Shalës. Mes peizazheve mahnitëse të Alpeve Shqiptare dhe ujërave kristal të lumit, vizitorët do të kenë mundësinë të marrin pjesë në aktivitete në natyrë, lojëra dhe aventura të ndryshme gjatë dy ditëve festive.
7.“XIXËLLONJA FEST” NDEZ BERATIN. MUZIKË DHE TRADITË
Berati mirëpret sot dhe nesër “Xixëllonja Fest”, një aktivitet që bashkon muzikën, artin e traditën. Në skenë do të ngjiten Eranda Libohova, Era Rusi, Ylli Baka, Lorenc Hasrama, Eneda Tarifa dhe Spaska Band. Vizitorët do të mund të shijojnë edhe kinemanë verore nën qiell të hapur dhe një panair artizanal.
8.“DETEKTORI I GËNJESHTRAVE”, KOMEDIA NË SKENËN E METROPOLIT
Sot, nesër dhe të dielën në orën 20:00 në teatrin “Metropol” në Tiranë do të shfaqet komedia “Detektori i gënjeshtrave” nën regjinë e Valdrin Hasanit dhe me interpretimin e Çubi Metkës, Kejdi Gishtos dhe Erdit Asllananit.
9.“SMËRFËT DHE GARGAMELA” ARGËTIM NË TEATRIN E KUKULLAVE
Në Teatrin e Kukullave, të shtuën dhe të dielën do të shfaqet “Smërfët dhe Gargamela”, në oraret 10:30 dhe 11:30.
Komente








