Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“LUNA TU”, MUZIKA E PIERO PIÇIONI-T, KONCERT NË TIRANË

Muzika e Piero Piçioni, një nga kompozitorët më të rëndësishëm të kolonave zanore të kinemasë italiane do të vijë në një koncert jazz mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve. Organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në koncertin “Luna Tu” do të interpretojnë  Vince Abbraçiante, i konsideruar si “ylli në ngritje i fizarmonikës në Itali”, i cili drejton trion, e cila plotësohet nga seksioni i shkëlqyer ritmik i Nicola Di Camillo në kontrabas dhe Giovanni Angelini në bateri. I ftuar është trombisti Fabrizio Bosso, i njohur si një nga virtuozët më të mëdhenj të instrumentit të tij në Itali dhe jashtë saj.

2.KOSTANDIN TASHKO, PIANISTI SHQIPTAR, KONCERT NË TKOB

Pianisti Kostandin Tashko, një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij në pianizmin ndërkombëtar vjen me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mbrëmjen e sotme në orën 19:00, ku do të interpretojë Koncertin për Piano nr. 2 në Sol minor, op. 16 të Sergei Prokofiev.

3. “MELANCONIA”, ETRITA IBRAHIMI E SIMONA KARAFILI NË KONCERT

Një udhëtim nga belcanto tek verizmi me sopranon Simona Karafili dhe pianisten Etrita Ibrahimi do të vijë mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

4. “MEDEA, MBI MITIN, LETËRSINË DHE POLITIKËN”, TAKIM TE “BERK”

Në diskursin e përditshëm Medea, figura mitologjike së cilës më 431 para K. Euripidi i kushtoi një vepër skenike, përmendet si nëna që vret fëmijët. Mirëpo, a është kështu?  “Medea, mbi mitin, letërsinë dhe politikën” është takimi, që do të mbahet nesër në orën 19:00 te “Berk Botime” në Tiranë.

5. RIKTHEHET PËR FËMIJËT “DRITËZA”, SHFAQJA PA TEKST E ME ETYDE

“Dritëza”, shfaqje për fëmijë, pa tekst, e ndërtuar përmes etydeve, lëvizjes dhe marrëdhënies që aktori krijon me dritën në skenë, rivjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental pranë ArTurbinës më 18 mars në orën 10:30.