Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“MAGJIA E VIZATIMIT” TË GAZMEND LEKËS NË GALERINË FAB

“Magjia e vizatimit” është ekspozita nga Gazmend Leka, që do të çelet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 te Galeria “FAB” në Tiranë.

2.“TRADITAT NË DUART E FËMIJËVE” NË DITËN E TRASHËGIMISË

“Traditat në duart e fëmijëve” është aktiviteti që do të mbahet sot në orën 16:00 në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës. Aktiviteti do të jetë një manifestim i trashëgimisë sonë dhe do të prezantojë punime të krijuara prej fëmijëve ndërsa vjen në kudër të Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë Jomateriale.

3. EKSPOZITË PËR 100-VJETORIN E LINDJES SË MARTIN CAMAJT

“100 Vjet Martin” është ekspozita e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt. E ideuar nga Vlora Ademi ekspozita sjell një udhëtim artistik përmes jetës dhe frymës së Camajt, të interpretuar me një qasje bashkëkohore vizuale nga artisti, Dardan Luta.

4.“FESTO N’MIRDITË”, DY DITË AKTIVITETE KULTURORE E KONCERTE

“Festo n’Mirditë” sjell një sërë aktivitetesh sot dhe nesër në sheshin “Abaz Doçi” në Mirditë. Aktivitetet synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar mes Bashkisë Mirditë, Shqipëri dhe Komunës së Junikut në Kosovë. Gjatë dy ditëve të aktivitetit, të pranishmit do të kenë mundësinë të shijojnë koncert në fshatin Domgjon, panair të artizanëve në sheshin “Abat Doçi”, Rrëshen, aktivitet kulturor në ish-burgun politik të Spaçit, vizitë në kishën e T’Shëlbuemit, Rubik dhe një koncert recital pranë InfoKullës në Rubik.

5. “PLEQËRI ME KUSURE” NË TEATRIN “PETRO MARKO” NË VLORË

 “Pleqëri me kusure” është komedia me autor Odise Plakun dhe me regji të Eliona Thomarajt që do të shfaqet në teatrin “Petro Marko” në Vlorë mbrëmjen e sotme në orën 19:00 nën intepretimin e aktorëve të teatrit “Bylis” të Fierit.

6. EKSPOZITË E ARTISTIT VLONJAT NË GALERINË E SHKODRËS

Në Galerinë e Arteve në Shkodër çelet sonte në orën 19:00 një ekspozitë personale nga autori nga Vlora, Edi Kojani.

7. “VITAMINAT E JETËS”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË DITËN E USHQIMIT

Këtë fundjavë, të shtunën dhe të dielën në oraret 10:30 dhe 11:30, në Teatrin e Kukullave, në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit, fëmijët mund të ndjekin shfaqjen “Vitaminat e Jetës”.