Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.HOMAZH PËR LUCIO DALLA-N, KONCERT NË TEATRIN “PETRO MARKO”

Një homazh për të madhin Lucio Dalla është koncerti, që do të mbahet në teatrin “Petro Marko” në Vlorë mbrëmjen e nesërme në orën 19:30 në kuadër të Javës Kulturore Italiane. “Aspettiamo senza avere paura, domani” vjen si një udhëtim mes muzikës dhe rrëfimit, ku këngët e tij legjendare marrin jetë sërish, duke rikthyer emocione, kujtime dhe poezi që kanë frymëzuar breza të tërë.

2. FILMI I HITCHCOCK DHE MUZIKA E KAPIDANIT NË NJË MBRËMJE

Kino-koncerti “Qiramarrësi: Një histori e mjegullës së Londrës” do të sjellë në ekran një nga filmat më të rëndësishëm të periudhës së hershme të Alfred Hitchcock-ut në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve, nesër në orën 19:00. I konsideruar si i pari film vërtet “hitchcockian”, “The Lodger” ndërton një atmosferë misterioze në Londrën e mbuluar nga mjegulla, duke eksploruar paranojën, frikën kolektive dhe figurën e të huajit. Filmi do të shoqërohet live nga muzikanti Markelian Kapidani, duke e rikthyer përvojën e kinemasë pa zë në formën e saj kolektive dhe immersive.

3. “POST INTERNATIONAL STUDENT FILM FESTIVAL” NË TIRANË

Pas edicionit të parë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor në Tiranë (International Student Film Festival in Tirana) vijon rrugëtimin e tij përmes fazës “Post Festival”, një program i dedikuar rikthimit të filmave të përzgjedhur pranë publikut. Nga 3–5 qershor, në kinema “Maks Velo do të ketë një sërë shfaqjesh filmash të shkurtër, të animuar dhe dokumentarë.

4. ‘FREE ZONE’ I REGJISORIT AMOS GITAI NË KINEMA MILLENIUM

 “Free Zone” është filmi që do të shfaqet sot në mbrëmje në orën 19:00 në kinema “Millenium” në Tiranë me praninë e veçantë të regjisorit të mirënjohur, Amos Gitai, i cili gjatë pritjes së mirëseardhjes do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse.