Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. ARTISTI GIANLUCA PETRELLA ME “COSMIC RENAISSANCE” NË TIRANË

Kuinteti Gianluca Petrella, kuinteti i udhëhequr nga një nga muzikantët më inovativë në skenën bashkëkohore vjen me një koncert mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Universitetin e Arteve. Koncerti mbështetet nga Instituti Italian i Kulturës dhe është pjesë e “Tirana Jazz Vibes”.

2. “ME ZANIN E BJESHKËVE”, GËZIM NIKA NË NJË KONCERT RECITAL

“Me zanin e bjeshkëve” është koncerti recital i Gëzim Nikës, ku do të interpretojnë edhe Aurela Gaçe, Eli Fara, Fatmira Breçani etj., që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nesër në orën 19:00. Në skenë do të ngjiten edhe artistë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

3. STUDIUESI LUAN RAMA, LEKSION NË AKADEMINË E SHKENCAVE

Nesër në orën 11:00 në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë do të mbahet ‘Lectio Magistralis’ me Luan Ramën, shkrimtar, skenarist e studiues arti, rreth lidhjeve të tij të hershme me imazhin pamor përmes fjalës si skenarist filmi e në vijim si eseist e studiues i artit pamor.

4. “ZËRI I TIRONËS” PËR TRASHËGIMINË MUZIKORE TIRANASE

“Zëri i Tironës” është aktiviteti që synon të promovojë trashëgiminë muzikore tiranase e që do të vijojë të mbahet edhe sot dhe nesër në shkollën “Metronome” në rrugën “Siri Kodra”. Gjatë këtyre ditëve do të ketë bashkëbisedime me artistë që kanë interpretuar dhe përcjellë repertorin e muzikës qytetare tiranase.

5. “PRANVERA NDËRSHQIPTARE NË ART”, EKSPOZITË NË KORÇË

70 piktorë nga trevat shqiptare bashkohen në një ekspozitë arti të çelur në Galerinë e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë e që do të vijojë deri më 15 mars.

6. DITA E VERËS ELBASAN, NJË JAVË FESTIME ME MUZIKË E TRADITË

Elbasani është kthyer në vendin e një feste të madhe, ku deri më 15 mars, tradita, gëzimi dhe atmosfera e Ditës së Verës ndihen në çdo rrugë e në çdo shesh. Kjo javë sjell muzikë, shije, panaire, karnavale, koncerte dhe një atmosferë të jashtëzakonshme.

7. “DREJTËSI NË NUREMBERG” NGA ARBEN KUMBARO NË SKENËN E TK-SË

“Drejtësi në Nuremberg” shfaqja me regji nga Arben Kumbaro rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës nga 12 deri më 15 mars në orën 20:00.

8. “GRUAJA E BURRIT TIM”, RIKTHEHET ME SHFAQJE NË TIRANË

Komedia “Gruaja e burrit tim” rivjen për publikun mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00 në Teatrin e Kukullave.

9. “GJYSMË-JETA E MARIE CURIE”, SHFAQJE TË REJA TE “METROPOL”

“Gjysmë-jeta e Marie Curie” është shfaqja që rikthehet në skenën e teatrit “Metropol” nga 12 deri më 15 mars në orën 19:00.

10. TEATRI PËR FËMIJË “DRITËZA” NË SKENËN E EKSPERIMENTALIT

“Dritëza” është shfaqja për fëmijë nga Endri Çela, që do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë deri më 15 mars, çdo ditë në orën 10:30.