Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “Á QUATTRO”, KONCERT NË TEATRIN E OPERAS DHE BALETIT
Koncerti i muzikës së dhomës me pjesëmarrjen e kuartetit “Á Quattro” dhe pianistes Valeria Fasiello do të mbahet sonte në orën 20:00, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Programi përfshin veprat “Pesë Pjesë për Kuartetin e Harqeve” të Ervin Schulhoff dhe “Kuintet për Piano, Op. 44” të Robert Schumann. Kuarteti “Á Quattro”, pjesë e platformës Musica Nova Ensemble, përbëhet nga muzikantët Xhudi Dodaj, Xhulia Dodaj, Stela Bello dhe Remino Sula, të cilët kanë përfaqësuar Shqipërinë në skena dhe konkurse ndërkombëtare. Koncerti vjen me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës.
2. “PËRRALLAT NË CIRK”, SHFAQJE PËR FËMIJË E FAMILJE NË TIRANË
Nga sot deri më 21 qershor, në Teatrin Kombëtar pranë ArTurbinës do të vijë aktiviteti “Përrallat në Cirk”. Çdo ditë në orën 10:00, fëmijët dhe familjet do të mund të shijojnë një botë imagjinate ku personazhet e përrallave dhe arti i cirkut bashkohen për të sjellë argëtim dhe emocione.
3. “NEXTWAVE TIRANA: YOUTH BEATS” NË UNIVERSITETIN E ARTEVE
Fakulteti i Muzikës vijon stinën koncertore 2026 me edicionin e parë të festivalit “Nextwave Tirana: Youth Beats”. Aktiviteti vijon deri më 17 qershor në hollin e Universitetit të Arteve dhe synon të promovojë talentet e reja të Fakultetit të Muzikës përmes performancave pianistike, muzikës së dhomës, jazz-it dhe koncertit koral. Studentët do të interpretojnë një repertor të larmishëm nën drejtimin e pedagogëve Vojsava Mane, Genti Rushi, Bujar Alliu dhe Silvana Skënderi.
4. EKSPOZITA “BIRTHMARK” NË QENDRËN E ARTIT “AGIMI” NË TIRANË
Fotografja Armejsa Kullolli prezanton ekspozitën “Birthmark”, e cila qëndron e hapur nga 14 deri më 20 qershor në Qendrën e Artit Agimi. Ekspozita sjell në vëmendje histori reale të lindjeve në Shqipëri përmes nëntë fotografive dhe një videoje dokumentare, duke trajtuar përjetimet e nënave dhe sfidat e sistemit shëndetësor. Projekti vjen si një reflektim artistik dhe social mbi një nga momentet më të rëndësishme të jetës.
5. “SONTE DO DARKOJMË NË SHTRAT” KTHEHET NË TEATRIN KOMBËTAR
Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” do të ngjitet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 15, 16, 17 dhe 18 qershor, çdo mbrëmje në orën 20:00. Vepra e autorit Marc Camoletti sjell historinë e një çifti që planifikon takime të fshehta në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, duke krijuar një seri situatash komike dhe keqkuptimesh. Shfaqja vjen nën regjinë e Kiço Londos.
6. ELBASAN/ “PËR NJË FJALË GOJE”, PREMIERË NË TEATRIN “SKAMPA”
Më 16 qershor, në orën 20:00, teatri “Skampa” në Elbasan mirëpret premierën “Për një fjalë goje”. Shfaqja trajton brishtësinë e komunikimit njerëzor dhe ndikimin që mund të kenë fjalët në marrëdhëniet mes njerëzve. Përmes dialogut dhe kujtimeve, ajo ndërthur realitetin me perceptimin, duke ftuar publikun në reflektim mbi detajet e vogla që formësojnë historitë personale.
Komente








