Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.FESTIVALI LETRAR “QYTETI I NJË MIJË LIBRAVE” NË BERAT

Berati do të mirëpresë sot dhe nesër festivalin letrar “Qyteti i një mijë librave”, një aktivitet që synon të afrojë fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit me botën e librit dhe letërsisë. Përgjatë dy ditëve, qyteti do të gjallërohet me takime, diskutime dhe bashkëbisedime me shkrimtarë, përkthyes, botues, mësues dhe përfaqësues institucionesh.

2. EDUKIMI PËR TRASHËGIMINË KULTURORE JOMATERIALE TEK TË RINJTË

Roli i arsimit në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e rinj do të jetë në fokus të Forumit Kombëtar “Edukimi si Urë e Përcjellëse e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale tek Brezat e Rinj”, që do të mbahet nesër prej orës 10:30-15:00 në Tiranë. Në forum do të diskutohet mbi mënyrat se si legjendat, traditat dhe historitë e trashëguara ndër breza mund të integrohen në procesin arsimor. Gjatë aktivitetit do të prezantohen 40 histori të trashëgimisë shqiptare, ndër to rrëfime për Teutën, Mbretin Gent, Kullën e Ngujimit, mitin e Kadmit, Dragoin dhe Kuçedrën, Baba Tomorrin e Kodikët e Beratit.

3.“CLEO” NGA SCHMITT, SHFAQJE FILMI NË “GOETHE-ZENTRUM TIRANA”

 “Cleo” (2019) është me regji nga Erik Schmitt, që do të shfaqet nesër në orën 18:00 te qendra kulturore “Gëte” në Tiranë.

4.“VENETIKU: GJURMËVE TË NJË FONDI FOTOGRAFIK” TE “MARUBI”

Historia e fotografisë shqiptare dhe kujtesa e një familjeje do të vijnë në qendër të ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet më 16 tetor në orën 18:00 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell në vëmendje historinë e studios fotografike Venetiku në Korçë, veprimtarinë e saj dhe njerëzit që e krijuan dhe e trashëguan atë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet Krisanthi Venetik-ut, përfaqësueses së fundit të studios, si dhe dokumenteve që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes gjatë regjimit komunist.

5. “RRËFIM VJESHTE” NË DURRËS, KONCERTI ME MUZIKË KLASIKE

 “Rrëfim vjeshte” është koncerti i Orkestrës së Harqeve në Durrës, që do të mbahet nesër në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Nën dirigjimin e Gridi Krajës dhe drejtimin artistik të Olta Jubës, koncerti do të sjellë një udhëtim muzikor përmes veprave të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Në program janë përfshirë krijime të Felix Mendelssohn-it, Benjamin Britten-it, Prenkë Jakovës, E. Sinës dhe M. Kuricit.

6.“SIKUR TË ISHA DJALË” NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË

Dashuria e ndaluar, dëshira për liri dhe përplasja me normat shoqërore vijnë në skenën e Teatrit “Metropol” sonte dhe nesër në orën 19:00 përmes shfaqjes “Sikur të isha djalë”, bazuar në romanin e njohur të Haki Stërmillit. E cilësuar si një “Romeo dhe Zhuljeta” shqiptare, historia e Dijës dhe Shpendit vijon të përcjellë mesazhe aktuale mbi dashurinë, lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur. Shfaqja vjen me dramatizim nga Ermir Nika dhe regji nga Dritan Boriçi. Në role interpretojnë Xhoana Karaj, Luna Çaushollaj dhe Joan Mezini.

7.“ZONJA E BUJTINËS” NË TEATRIN “PETRO MARKO” NË VLORË

“Zonja e bujtinës” me regji nga Kiço Londo do të shfaqet më 16 dhe 17 tetor në orën 19:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Në qendër të rrëfimit është Mirandolina, personazhi që përmes zgjuarsisë dhe hijeshisë së saj vë në lëvizje një histori plot të papritura. Interpretimi teatror ndërthuret me muzikën live, duke krijuar një atmosferë dinamike dhe duke e shndërruar bujtinën në një hapësirë plot ritëm, humor dhe emocione.