Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KONCERT I ORKESTRËS SË RTSH-SË ME KRIJIMET E GJON SIMONIT
Orkestra Simfonike e RTSH sjell një mbrëmje të veçantë, nesër në orën 19:00 në sallën e Universitetit të Arteve, kushtuar krijimtarisë së kompozitorit Gjon Simoni, nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço dhe me pjesëmarrjen e violinistit Lorenc Radovani.
2.“BASHKË ME NEÇO MUKON”, SHFAQJE DHE KONCERT NË HIMARË
Për herë të parë, pjesët teatrale të shkruara nga Neço Muko ngjiten në skenë, duke u ndërthurur me tingujt polifonikë dhe hijeshinë e detit Jon. Shfaqja do të vijë në sallën “Neço Muko” në Himarë, nesër, në orën 17:00.
3. MUZIKË, ARGËTIM DHE KULTURË NË JAVËN AMERIKANE NË VLORË
Kulturë, muzikë dhe argëtim për të gjitha moshat mes të cilave edhe koncert festiv sjell “TOK Event”- Java Amerikane në Vlorë, që do të mbahet në zonën historike në Vlorë prej 23 tetorit në orën 18:00, për të vijuar edhe më 24 dhe 25 tetor.
4. FESTIVALI I FILMIT ROM, “REALITETE TË NDRYSHME” TE “TULLA”
Më 23 tetor në orën 16:00, në Qendrën Kulturore “Tulla” do të mbahet Festivali i Filmit Rom, “Different realities” (Realitete të ndryshme).
5. “SHTEGU I POEZISË FISHTJANE”, POEZI DHE ARGËTIM NË FISHTË
Një udhëtim magjik përmes fjalës së At Gjergj Fishtës, ku i gjithë fshati Fishtë hap zemrën, dyert e shtëpive dhe bujtinave për të pritur miqtë vizitorë, të apasionuar pas poezisë dhe gastronomisë tradicionale do të jetë aktiviteti “Shtegu i Poezisë Fishtjane”, që do të mbahet duke filluar nga ora 11:00 e 23 tetorit deri më 25 tetor.
6. SHFAQJA PËR FËMIJË “TRE” NË QENDRËN “LASGUSH PORADECI”
Shfaqja për fëmijë “Tre” do të vijë në sallën e shfaqjeve tek Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec mbrëmjen e nesërme në orën 18:00. Shfaqja vjen nga Qendra e Artit dhe Kulturës Bashkëkohore “Ato” e Manastirit nga Maqedonia e Veriut.
7. “KËNGA IME NDAJ NAT’HERE”, MBRËMJE HOMAZH PËR TEFTA TASHKON
“Tefta Tashko Koço Event – Kënga ime ndaj nat’here” është aktiviteti dedikuar sopranos legjendare që la pas një trashëgimi kulturore në artin shqiptar. Homazhi për një nga figurat më frymëzuese për gratë do të mbahet sonte në orën 19:30 në sallën e Kishës Orthodokse në Tiranë.
8. RRËFIME DHE MBRËMJE PËRKUJTIMORE PËR DRITËRO AGOLLIN TE COD
“Rrëfime Nostalgjike – Mbrëmje përkujtimore për Dritëro Agollin” është aktiviteti kushtuar kujtimit të jetës dhe veprës së shkrimtarit, që do të mbahet në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë sot në orën 18:00.
9. “KOLLTUKU”, SHFAQET PREMIERË FILMI I FUNDIT I NAUN SHUNDIT
“Kolltuku”, filmi ku ka interpretuar për herë të fundit aktori Naun Shundi do të shfaqet premierë mbrëmjen e sotme në orën 18:00 në kinema “Millenium” në Tiranë. Filmi vjen si homazh në përkujtim të artistit të ndarë nga jeta pak kohë më parë.
10. SHFAQJA “GRUAJA E BURRIT TIM” NË TEATRIN “BYLIS” NË FIER
Mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 19:00, teatri shëtitës “Çajupi” mbërrin në teatrin “Bylis” të Fierit, ku do të shfaqë komedinë “Gruaja e burrit tim”.
11. “BABAI”, SHFAQJE NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL
Shfaqja “Babai” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e nesërme e deri më 26 tetor në orën 20:00.
Komente












