Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. SLOW TEXTING - LETRA MES MARTIN CAMAJT DHE ARSHI PIPËS

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë (COD) do të vijë një udhëtim intim mes letrave të rralla midis Martin Camajt dhe Arshi Pipës. “Slow Texting” – 260 letra të shkëmbyera përgjatë 33 viteve, do të ekspozohen në hapësirën e bibliotekës së COD-it, nesër, më 19 nëntor në orën 18:00.

2. “DIALOG TINGUJSH” NGA EJONA NAKO E KRISTINA PETROLLARI LAÇO

Një dialog tingujsh mes violonçelit dhe pianos sjell koncerti i nesërm në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dy artistet Ejona Nako dhe Kristina Petrollari Laço, do të ndërthurin tingujt e violonçelit dhe pianos në një bashkëbisedim shpirtëror përmes muzikës së Rachmaninov dhe Shostakovich.

3. “SHUMË PAK VRASËS”, KOMEDIA PREMIERË NË TEATRIN “SKAMPA”

 “Shumë pak vrasës” është shfaqja me regji nga Rozi Kostani e lojën e aktorëve Helidon Fino, Vin Bejleri, Ola Harizaj, Marin Orhanasi etj., që do të vijë premierë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan në 19, 20 e 21 nëntor në orën 19:00.

4. “DITA E KRAVATËS NË TIRANË”, EKSPOZITË TE BIBLIOTEKA

Një nga simbolet më të njohura të identitetit kroat, kravata, vjen në zemër të Tiranës përmes një ekspozite unike, nesër në orën 13:00 në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekën Kombëtare. Ekspozita rrëfen historinë, origjinën dhe evolucionin e kravatës ndër shekuj. Pas ekspozitës, Regjimenti i Kravatës nga Zagrebi do të marshojë përgjatë bulevardit kryesor, i veshur me uniforma historike ceremoniale dhe i shoqëruar nga ritmet solemne të daulleve.

5. MUZIKANTË DHE INSTRUMENTISTË, KONCERT “60 PLUS” NË SHKODËR

Muzikantë të ndryshëm, instrumentistë e këngëtarë do të bëhen bashkë për dy net, në 19 dhe 20 nëntor në orën 20:00 në koncertin “60 Plus” te “N’Odë” në Shkodër.

6. “PEMA HYJNORE”, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NGA GAZMEND ÇITAKU

 “Pema hyjnore” është ekspozita fotografike nga Gazmend Çitaku që çelet te Galeria “Oda” në Shkodër mbrëmjen e nesërme në orën 18:00.

7. NJË EKSPOZITË PËR ARTIN E QILIMAVE NË AZERBAJXHAN E SHQIPËRI

“Arti i qilimave Azerbajxhan & Shqipëri” është ekspozita që do të çelet nesër te Galeria e Artit Tiranë. Ekspozita sjell qilimat historikë të Azerbajxhanit deri te interpretimet bashkëkohore të artistëve të njohur: Aidan Salakhova, Faig Ahmed, Rufat Ismayil, Xhevahir Kolgjini, Samira Allahverdiyeva dhe Rashad Alakbarov.