Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.NATA E BARDHË, KONCERTE E AKTIVITETE DERI NË MESNATË
Koncerte, festa dhe ritëm do të ofrojë Tirana sot me rastin e Natës së Bardhë. Aktivitete për të gjitha grupmoshat janë parashikuar jo vetëm në sheshet kryesore të kryeqytetit, por në çdo institucion artistik e kulturor, të cilët mund të vizitohen falas nga ora 08:00 e mëngjesit deri në mesnatë. Publiku mund të ndjekë në sheshin “Skënderbej” koncert nga Era Istrefi, Kida, Soni Malaj, Majk, Lumi B, duke nisur nga ora 18:00 deri në mesnatë. Në Digën e Parkut të Liqenit nga ora 12:00 - 13:30 do ketë performancë live nga Jozefina Simoni & band. Në Parkun “Rinia” prej orës 18:00 do të vijë “Prolog muzikor” me Lambert Jorganxhi dhe një kolazh nga filmat shqiptarë.
2. VIDEO-PROJEKSION NË FASADËN E GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE
“Videombikëqyrje GKA”, vepra më e fundit e artistit Gentian Shkurti projektohet në fasadën e saporinovuar të Galerisë Kombëtare të Arteve me rastin e “Tirana Art Weekend. Duke përdorur kamera mikroskopike, videoja kap tekstura të fshehura, gjurmë kohe dhe mikrodetaje materiali nga veprat e fondit të GKA. Inagurimi i veprës do të bëhet sot në orën 18:30. Këto fragmente vizuale të shndërruara në një narrativë abstrakte do të projektohen mbi fasadën e restauruar të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke i zbuluar publikut një dimension të ri të trashëgimisë vizuale shqiptare.
3. VEPRA E KUTELIT, SHFAQJE PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE
“E bija e hënës dhe e diellit”, një vepër shqiptare bazuar në krijimtarinë e Mitrush Kutelit do të vijë për fëmijët te Teatri i Kukullave sot dhe nesër në oraret 10:30 dhe 11:30.
4. TRADICIONALJA NË AKUAREL, EKSPOZITË TE GALERI ODA NË SHKODËR
“Tradicionalja në Akuarel” titullohet ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Oda” në Shkodër. Në të do të prezantohen punime të realizuara në teknikën e akuarelit, të frymëzuara nga veshjet popullore shqiptare.
5. “DET I THELLË BLU”, SHFAQJA E FUNDJAVËS NË TEATRIN KOMBËTAR
“Det i thellë blu” është shfaqja që do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar edhe sonte dhe nesër në orën 20:00 me regji nga Rovena Lule Kuka dhe me aktorë: Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Florian Agalliu.
6. SHKODËR/ “GJEGJU FEST” PËR HERË TË PARË NË TEATRIN “MIGJENI”
Në teatrin “Migjeni” në Shkodër po vijon të mbahet për herë të parë festivali “Gjegju Fest”. Gjatë këtyre ditëve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje të reja.
7. “SHUMË PAK VRASËS” NË TEATRIN “SKAMPA” NË ELBASAN
“Shumë pak vrasës” është shfaqja me regji nga Rozi Kostani, që do të vijojë të shfaqet te teatri “Skampa” në Elbasan edhe sonte, nesër dhe të hënën në orën 19:00.
8. “LUANUSHI I FRIKËSUAR”, SHFAQJA PËR FËMIJË TE EKSPERIMENTALI
“Luanushi i frikësuar” është shfaqja për fëmijë, që do të vijojë të shfaqet te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nesër në orën 10:30.
Komente












