Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “MUZG NË KOPSHTIN E QERSHIVE”, PREMIERË NË TEATRIN KOMBËTAR

Teatri Kombëtar çel sezonin e ri sonte në orën 20:00 me premierën e shfaqjes “Muzg në kopshtin e qershive”, me përshtatje dhe regji nga Driada Dervishi. Në rolin kryesor ngjitet në skenë aktorja e mirënjohur Luiza Xhuvani.

2. “BIG BABY” VIJON SHFAQJET NË TEATRIN KOMBËTAR EKSPERIMENTAL

“Big Baby” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nga 24-27 shtator, çdo mbrëmje në orën 20:00. Me autori Frank Moher, shfaqja vjen nën regjinë e Endri Çelës.

3. KOMEDIA “E ZONJA E BUJTINËS”, PREMIERË NË TEATRIN “BYLIS”

“E zonja e bujtinës”, komedia e Carlo Goldonit, një nga veprat e tij më të njohura, vjen premierë në 24 shtator në orën 19:00 në skenën e teatrit “Bylis”, nën regjinë e Kiço Londos. Shfaqja do të vijojë edhe më 25 dhe 26 shtator.

4.INTERNATIONAL JAZZ FESTIVAL NË EDICIONIN E GJASHTËMBËDHJETË

“Jazz in Albania” rikthehet në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, duke sjellë 3 net me muzikë live dhe artistë të njohur nga Spanja, Austria, Italia, Greqia, Shqipëria, Kina dhe Maqedonia e Veriut. Eventi mbahet nga sot deri më 25 shtator, në orën 19:00 në shkollën artistike “Jordan Misja”.

5. “NJË VRIMË NË UJË”, INSTALACIONI I JOAN TANKUT NË FAB

Instalacioni artistik “Një vrimë në ujë” nga Joan Tanku do të prezantohet edhe sonte dhe nesër në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

6. EKSPOZITA “113” NGA JONIDA LAÇI NË “BAZAMENT ART SPACE”

“113” është ekspozita nga Jonida Laçi, që do të çelet te “Bazament Art Space” në Tiranë më 24 shtator në orën 19:00 e do të qëndrojë e hapur deri më 30 tetor.

7. “SHKODRA KA PLOT DASHURI”, VARIETE NË TEATRIN “MIGJENI”

Emocione, muzikë dhe humor në varietenë “Shkodra ka plot dashuri” që do të mbahet nga 23-27 shtator në orën 19:00 në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Regjia është e Zehrudin Dokles, drejtues muzike Ilir Zoga dhe skenografia nga Divni Gushta.

8. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I KUKULLAVE PËR PESË DITË NË TIRANË

Festivali Ndërkombëtar i Kukullave vijon të mbahet në Teatrin e Kukullave në Tiranë edhe sot dhe nesër dhe mirëpret artistë dhe trupa teatrore nga vende të ndryshme të botës.