Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“TINGUJ MES TOKËS DHE DETIT” NGA AULON NAÇI NË PORTO PALERMO
Kompozitori dhe pianisti Aulon Naçi sjell nesër në “Porto Palermo Festival” një performancë dinamike, ku muzika dhe atmosfera e festivalit krijojnë një eksperiencë të veçantë. “Tinguj mes tokës dhe detit” është një koncert recital dhe performancë muzikore nga Naçi, ku artisti ndërthur meloditë e ndjera të pianos me bukurinë e natyrës dhe muzikën e filmit, duke krijuar një atmosferë unike buzë detit.
2. “VAJZË FEST” SJELL PËR TRE DITË TEATËR, HUMOR, ART E SPORT
“Vajzë Fest” do të zhvillohet nga 14 deri më 16 gusht 2026 në fshatin Vajzë të Bashkisë Selenicë. Ky festival 3-ditor përfshin shfaqje teatri, humor, poezi, aktivitete sportive, ecje në natyrë, si dhe mbrëmje muzikore me artistë të njohur, përfshirë grupin Ëest Side Family në natën e mbylljes.
3.“7 DITËT E KRIJIMIT”, PERFORMANCË SKENIKE NESËR NË DURRËS
“7 Ditët e Krijimit”, një vepër nga Met Dervishi është performanca që do të shfaqet sonte në orën 20:00 në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Performanca, e cila do të zhvillohet me praninë e veçantë të aktores Yllka Mujo, është ndërtuar mbi shtatë poema dhe shtatë aktorë dhe sjell një reflektim skenik mbi botën që po ndërtojmë dhe njeriun që rrezikojmë të humbasim.
4. “SANFEST” RIVJEN NË RRJOLL TË VELIPOJËS ME ARTISTË TË NJOHUR
“Sanfest” kthehet në Rrjoll të Velipojës në Shkodër nga 14 deri më 16 gusht. Artistë të njohur do të sjellin për të pranishmit ritëm dhe muzikë.
5. “FESTA E MALIT TË THATË” NË POGRADEC ME BANORËT E FSHATRAVE
“Festa e Malit të Thatë” e konceptuar si një ditë bashkimi mes banorëve të Njësisë Çerravë të Pogradecit dhe jo vetëm do të mbahet nesër në orën 11:00 në Bletas (Bratomirë). Të gjithë banorët e fshatrave të përreth janë të ftuar t’i bashkohen kësaj feste.
6.“GUSHT E N’FEST”, TRE NETË PLOT MUZIKË E FESTIME NË GRAMSH
“Gusht e n’Fest” rikthehet për tre netë plot muzikë, energji dhe emocione në Gramsh. Aktiviteti do të mbahet në fushën e sportit “Mentar Dyrmyshi” në Gramsh më14, 15 e 16 gusht, çdo natë, duke filluar prej orës 20:00.
7. “FEST FOLK 2026”, ANSAMBLI KOMBËTAR VAZHDON TURNEUN NË VEND
Pas ndalesave në Sarandë, Laç dhe Durrës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon turin në qytete të ndryshme të Shqipërisë me “Fest Folk 2026”. Sonte ansambli do të jetë në Gjirokastër, për të vijuar nesër në Vlorë e më pas, deri më 24 gusht edhe në Vajzë, Berat dhe Fier.












Komente
Komento