Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“TINGUJT E KUJTESËS 2026” NË SHKODËR DHE KRIMET E KOMUNIZMIT
Në Shkodër, më 11 qershor, pranë Zallit të Kirit, do të zhvillohet aktiviteti “Tingujt e Kujtesës 2026”. Duke nisur nga ora 19:30, kjo mbrëmje artistike vjen si një dedikim për viktimat e komunizmit dhe artistët shkodranë, në një vend që mbart kujtesën e krimeve të regjimit komunist. Përmes muzikës dhe artit, organizatorët synojnë të përcjellin mesazhin e lirisë dhe të kujtesës historike.
2. FESTA E TRASHËGIMISË, MOZAIK KULTUROR NË ZEMËR TË DIMALIT
Në Dimal, më 11 dhe 12 qershor, Pedonalja e qytetit do të mirëpresë aktivitetin “Festa e Trashëgimisë: Një Mozaik Kulturor në Zemër të Dimalit”. Duke nisur nga ora 19:00, eventi do të bashkojë traditën, kulturën dhe energjinë e të rinjve përmes performancave muzikore live, DJ Set-eve, ekspozitave artistike dhe promovimit të trashëgimisë kulturore lokale.
3. KONCERT RECITAL NGA DULIEM PUKA TE HOLLI I TEATRIT “MIGJENI”
Nesër në orën 19:00, në Hollin e Teatrit Migjeni në Shkodër, violinisti Duliem Puka do të mbajë një koncert recital nën drejtimin artistik të Ramazan Pekut dhe me pjesëmarrjen e Synjona Paplekajt dhe Ingrid Havaljas.
4. “FISH SARANDA FESTIVAL” KTHEHET NË EDICIONIN E TRETË
Në Sarandë rikthehet festivali i peshkut, “Fish Saranda Festival” me edicionin e tretë. Nga data 11 deri më 13 qershor, Pedonalja e Sarandës do të shndërrohet në një hapësirë festive kushtuar gastronomisë së detit, muzikës dhe atmosferës verore. Aktivitetet do të zhvillohen çdo mbrëmje duke nisur nga ora 19:00.
5. “ZËRI IM KA VEND”, NDËRGJEGJËSIM TE TEATRI I METROPOLIT
Në Teatrin e Metropolit në Tiranë do të vijë për publikun shfaqja “Zëri im ka vend” në datat 11, 12 dhe 13 qershor në orën 19:00. Shfaqja trajton tema të rëndësishme si bullizimi, heshtja dhe guximi për të folur, duke përcjellë një mesazh të fortë ndërgjegjësues për fëmijët dhe familjet.
6. “MARTINI”, SHFAQJA PREMIERË NË TEATRIN “BYLIS” NË FIER
Teatri “Bylis” në Fier do të presë premierën absolute të komedisë “Martini”, e cila do të shfaqet më 11, 12 dhe 13 qershor në orën 19:30. Vepra me autor Odise Plakun dhe regji të Adelina Muçës sjell historinë e dy shoqeve të fëmijërisë, Laura dhe Medie, nën interpretimin e Julia Ilirjanit dhe Adelina Muçës, të cilat mes humorit dhe emocioneve përballen me kujtime, zgjedhje dhe ëndrra të pathëna.
Komente










