Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.MUZIKA E FILMAVE SHQIPTARË, KONCERTI “NËNTORI I DYTË”
Tingujt që rrëfejnë kujtesën e kombit do të vijnë në 27 nëntor në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në një bashkëpunim të mes dy orkestrave më të mëdha shqiptare; Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së, si dhe Kori i TKOBAP-së. Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, kjo natë do të rikthejë në sallë atmosferën e filmave që kanë shënjuar me nostalgji brezat shqiptarë.
2. TRADICIONALJA NË AKUAREL, EKSPOZITË TE GALERI ODA NË SHKODËR
“Tradicionalja në Akuarel” titullohet ekspozita që do të çelet nesër në orën 18:00 në galerinë “Oda” në Shkodër. Në të do të prezantohen punime të realizuara në teknikën e akuarelit, të frymëzuara nga veshjet popullore shqiptare.
3. “GJEGJU FEST”, PËR HERË TË PARË NË TEATRIN “MIGJENI”
Në teatrin “Migjeni” në Shkodër po vijon të mbahet për herë të parë festivali “Gjegju Fest”. Për tetë ditë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje të reja.
4. KONCERTI “CZECH BOYS – BONI PUERI”, PREMIERË NË TKOB
“Czech Boys - Boni Pueri”, kori i djemve me famë botërore nga Çekia, vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit sot në orën 19:00 me një koncert. 35 zëra do të dhurojnë një mbrëmje plot ngjyra dhe tinguj rinorë. Nën drejtimin e maestro Pavel Horák dhe me shoqërimin në piano të Vartan Agopian, “Boni Pueri” sjell një program të përzgjedhur nga repertori koral ndërkombëtar.
5. TEATRI “PETRO MARKO” SHËNON 63-VJETORIN NË NJË “FESTË”
Sonte në mbrëmje, aktorë, artistë dhe miq të teatrit “Petro Marko” në Vlorë do të mblidhen në këtë teatër për të nderuar rrugëtimin e këtij institucioni që shënon 63 vjet histori dhe që ka lënë gjurmë në kulturën e Vlorës.
6. “TINGUJT E NËNTORIT”, KONCERTI NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Tingujt e nëntorit” është koncerti që do të mbahet sot dhe nesër në orën 18:00 në Teatrin e Kukullave me rastin e festave të nëntorit, një aktivitet që vjen si bashkëpunim mes Qendrës Kulturore Kombëtare të Fëmijëve në Tiranë me Qendrën Rinore në Pejë. Fëmijët do të sjellin këngë patriotike, valle tradicionale, sfilatë me veshje arbëreshe etj.
7. “SALLONI I VJESHTËS”, NË GALERINË E QYTETIT TË SHKODRËS
“Salloni i Vjeshtës” është aktiviteti që dotë mbahet në galerinë e qytetit të Shkodrës nesër në orën 19:00. “Salloni i vjeshtës” shënon edicionin e tij të 19-të dhe cilësohet si eventi më i madh i vitit në galeri.
Komente












