Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “NËNTORI 28” NË FAB, RIKTHEHET GRUPI I ARTISTËVE PAMORË

Ekspozita e grupimit “Nëntori” vjen në edicionin e 28-të mbrëmjen e sotme në orën 18:00 te galeria FAB në Universitetin e Arteve.

2.“FJALË QË NDEZIN NETËT”, MBRËMJE POETIKE NË KUKËL PËR MJEDËN

 “Fjalë që ndezin netët” është aktiviteti poetik në kuadër të “Ditëve të Mjedës”, që do të mbahet në Qendrën Muzeale “Ndre Mjeda” në fshatin Kukël në Shkodër, sot në orën 16:00.

3. “UDHËTIM PËRMES TINGUJSH”, KONCERT NË TEATRIN E KORÇËS

 “Udhëtim përmes tingujsh” është koncerti që do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Në koncert do të interpretohen vepra nga Bach, Rossini dhe Papadhimitri.

4. “KOMISAR DALTONIKO”, PREMIERË NË NDERIM TË NAUN SHUNDIT

Java Kulturore Kombëtare do të vijë me shfaqjen “Komisar Daltoniko” në teatrin e Metropolit sot në orën 19:00. Shfaqja vjen si dedikim për Naun Shundin, si shfaqje në proces e tij, përpara se të ndahej nga jeta. Interpretojnë: Bujar Asqeriu, Marius Dhrami, Raimonda Shundi dhe Adelina Muça.

5. “NËNTORI I DYTË”, SHFAQJE NË MUZEUN E PAVARËSISË NË VLORË

Filmi artistik dhe historik “Nëntori i dytë” do të shfaqet sot në orën 17:00 në oborrin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.

6. “MOZART & BEETHOVEN”, KONCERT I ORKESTRËS SË TKOB-IT

Një mbrëmje ku bashkohen dy gjeni që ndryshuan përgjithmonë historinë e muzikës, Mozart e Beethoven, do të jetë ajo e koncertit të sotëm në orën 19:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit, nën dirigjimin e maestro Peter Michael Garst.

7. “FJALË NGA E KALUARA”, KONCERT, SPEKTAKËL E AKTRIM NË VLORË

Në tingujt e violonçelit, pianos dhe zërit, fjalët e filmave të së kaluarës marrin frymë sërish. “Fjalë nga e Kaluara” është spektakli që do të vijë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë mbrëmjen e nesërme në orën 19:30.

8. “NGA LUFTA NË LIRI”, EKSPOZITË E PËRBASHKËT SHQIPËRI-KOSOVË

Në kuadër të javës kulturore kombëtare, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare çelet sot në orën 17:30 ekspozita “Nga lufta në liri”. Në orën 17:00 midis dy Bibliotekave Kombëtare do të nënshkruhet dhe një marrëveshje bashkëpunimi për të çuar më tej programet e shkëmbimit ndërinstitucional.