Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“NO ART ZONE”, EKSPOZITA E VLADIMIR DHE NOEL MYRTEZAIT

“No Art Zone” është ekspozita nga Vladimir e Noel Myrtezai kuruar nga Helidon Gjergji që do të çelet në Qendrën për Hapje dhe Dialog mbrëmjen e sotme në orën 17:00 dhe do të vijë për publikun që prej ditës së nesërme.

2. “URAT MESDHETARE-BIENALJA E 6-TË E AKUARELIT NË TIRANË”

“Urat mesdhetare- Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e akuarelit në Tiranë” do të çelet sonte në orën 19:00 te “Galeria e Artit”. Ky aktivitet përkon me shpalljen e Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, së bashku me qytetin e Aleksandrisë në Egjipt, një titull i dhënë nga Unioni për Mesdheun.

3. TAKIMI KOMBËTAR I ORKESTRAVE TË HARQEVE NË ELBASAN

“Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve” në Elbasan shënon edicionin e tij të dhjetë. Ai do të çelet sot në orën 18:00 në teatrin “Skampa”, për të vijuar edhe më 16 e 17 tetor. Ky aktivitet bën bashkë orkestra dhe ansamble nga qytete, si: Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati e Ulqini.

4. JAVA KULTURORE JAPONEZE, CEREMONI ÇAJI DHE SHFAQJE FILMASH

Java Kulturore Japoneze vijon me aktivitetet e saj. Sot në “Vila 31–Art Explora” mund të njiheni me ceremoninë japoneze të çajit, ndërsa te kinema “Agimi” në Tiranë mund të ndiqni disa filma japonezë në orën 19:00.

5. “DIELL NË FIJET E BARIT”, EKSPOZITË NGA HASHANI NË TIRANË

“Diell në Fijet e Barit” është ekspozita nga Blerta Hashani, që do të çelet nesër në orën 19:00 te “Bazament Art Space” në Tiranë.

6. “FUNDJAVA MAGJIKE” NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL

“Fundjava magjike” është shfaqja që do të vijë te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nesër në orën 10:30.

7. “JEHONË DHE GJURMË”, MASTERKLAS PËR ‘PËRKTHIMIN E KUJTESËS’

“Jehonë dhe gjurmë” është masterklasi nga Jozefina Vokrri, Elsamina Musiq dhe Xhulian Millaj, që do të mbahet në Shkodër sot, nesër dhe në 17 tetor në “Art House” në Shkodër. Masterklasi sjell tre qasje të ndryshme ndaj metodave që eksplorojnë mënyra të ndryshme të përkthimit të kujtesës, nga periferitë urbane deri te hapësirat intime të albumeve familjare, nga gjurmët e të dhënave digjitale deri te shtypjet tradicionale të linogravurës.

8. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I DANCIT, HOMAZH PËR ENNIO MORRICONE

Vijon të mbahet në Tiranë edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit nën drejtimin artisik të Angelin Preljocajt. Sonte në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të ketë një shfaqje-homazh për mjeshtrin e muzikës së filmave, Ennio Morricone.