Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT I ORKESTRËS SË HARQEVE NË UNIVERSITETIN E ARTEVE

Mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë do të vijë një koncert i Orkestrës së Harqeve të UART. Në program përfshihen disa nga veprat më të njohura të Bach, Vivaldi, Paganini, Grieg, Albinoni, Sibelius e Bela Bartok.

2. DITA BOTËRORE E LIBRIT, KONFERENCA DHE AKTIVITETE NË TIRANË

Në Ditën Botërore të Librit, nesër në Tiranë do të organizohen disa aktivitete. Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë mbahet një konferencë, ku do të ketë dhe një ekspozitë. Tirana do të bëhet pjesë e një maratone 24-orëshe kushtuar librit me aktivitete gjatë gjithë ditës në: “Tirana Moons”, në bibliotekën “Sotir Kolea” dhe në hapësira komunitare. Ndërsa në galerinë “Zenit”, në orën 19:00 do të çelet ekspozita “Portrete përmes fjalëve”, që do të sjellë shkrimtarë përmes portreteve, fragmenteve dhe zërit të qytetit që i frymëzon.

3. “RIKTHIM NË LICE”, KONCERT I TRE ARTISTËVE TE “TONIN HARAPI”

“Rikthim në lice” quhet mbrëmja muzikore, që do të mbahet nesër në orën 19:00 në Liceun Artistik. Pianisti Kostandin Tashko, violinisti Dejon Bendaj dhe violonçelisti Enea Nushi do të interpretojnë kryevepra nga Shostakovich dhe Rachmaninoff.

4. “NJERI SI NE”, FILMI PREMIERË NË QENDRËN E ARTIT “AGIMI”

“Njeri si ne” është filmi me regji nga Ervin Kotori, që do të shfaqet premierë mbrëmjen e nesërme në orën 19:30 në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë.

5. KOMEDIA “SKANDALI”, PREMIERË NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË

“Skandali” është shfaqja me regji nga Sonila Kapidani, që do të vijë premierë mbrëmjen e nesërme, më 23 prill në orën 20:00 në teatrin “Metropol”. Shfaqja është një komedi absurde mbi marrëdhëniet e sotme, ku familja dhe lidhja burrë e grua janë në ndryshim.

6.“SI NE TË DY”, KOMEDIA E ZEZË, PREMIERË NË TEATRIN KOMBËTAR

“Si ne të dy” është komedia e zezë me regji nga Violeta Trebicka, që do të shfaqet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës sonte në orën 20:00. Shfaqja ka në qendër një çift, i cili përballet me shpërbërjen e martesës së tyre, interpretuar nga aktorët Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka.

7. “IMPULS”, KONCERT NGA ORKESTRA FRYMORE NË QYTETIN E DURRËSIT

“Impuls” koncerti nga Orkestra Frymore në Durrës me drejtues orkestre| Saimir Kalaja dhe drejtuese artistike Olta Juba, do të vijë në Sallën e Koncerteve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës mbrëmjen e sotme në orën 19:00.

8. “ZËRAT E TOKËS”, SHFAQJE NË TEATRIN E HAPUR “MIRUSH KABASHI”

“Zërat e tokës”, një shfaqje që bashkon teatrin, muzikën, koreografinë dhe akrobacinë në një përvojë të paharrueshme do të shfaqet në kuadër të Ditës së Tokës sonte në orën 19:30 në teatrin e hapur ‘Mirush Kabashi’ në Parkun e Liqenit.